Kancelari gjerman Friedrich Merz do të zhvillojë sot një takim me presidentin amerikan Donald Trump në Washington, D.C., vetëm tre ditë pas nisjes së sulmeve të SHBA-së dhe Israel ndaj Iran.

Vizita, e dyta e Merzit në White House që nga marrja e detyrës 10 muaj më parë, ishte planifikuar prej kohësh. Megjithatë, zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme pritet të dominojnë bisedimet në Zyrën Ovale.

Ashtu si aleatët e tjerë evropianë të NATO, Gjermania nuk është e përfshirë në operacionet ushtarake kundër Iranit. Të dielën, Merz paralajmëroi për rrezikun e përhapjes së konfliktit dhe shprehu dyshime nëse një ndryshim pushteti në Teheran mund të arrihet përmes ndërhyrjes ushtarake. Megjithatë, ai shprehu mirëkuptim për veprimet e ndërmarra dhe shmangu kritikat e drejtpërdrejta ndaj Uashingtonit.

Pas takimit në mëngjes, dy liderët pritet të zhvillojnë një drekë pune. Fillimisht, në axhendë ishin mosmarrëveshjet tregtare mes SHBA-së dhe Gjermanisë, lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe qasja e dy vendeve ndaj Kinës — çështje që mbeten të hapura për diskutim.

Vizita e parë e Merzit në Uashington, në fillim të qershorit 2025, u cilësua si harmonike, në kontrast me takime të tjera të zhvilluara nga Trump me liderë si presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky apo presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa. Në atë kohë, Trump e quajti Merzin “një njeri të mirë” dhe premtoi një “marrëdhënie të shkëlqyer” mes SHBA-së dhe Gjermanisë.

Takimi i sotëm zhvillohet në një klimë të tensionuar ndërkombëtare, me diplomacinë transatlantike përballë një prove të re në menaxhimin e krizës në Lindjen e Mesme.

Exit mobile version