Autoriteti i Konkurrencës ka filluar monitorimin e tregut të karburanteve me shumicë dhe pakicë, me fokus të veçantë tek çmimet e benzinës dhe naftës në pikat e shitjes me pakicë.
Sipas një njoftimi zyrtar, të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në tregtimin e karburanteve janë aktualisht nën vëzhgim, në kuadër të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Autoriteti ka njoftuar se do të ndërmerren masa nëse konstatohet që çmimet e karburanteve janë rritur më shumë se sa luhatjet e regjistruara në bursat ndërkombëtare.
Çmimet në tregjet ndërkombëtare përditësohen vazhdimisht për shkak të faktorëve si oferta dhe kërkesa, kostot e përpunimit, si dhe zhvillimet ekonomike dhe gjeopolitike. Kështu, çmimet e karburanteve në tregun vendas pritet të pasqyrojnë këto ndryshime në një mënyrë proporcionale.
Autoriteti i Konkurrencës ka paralajmëruar se çdo devijim i pajustifikuar, përfshirë rritje të çmimeve që janë më të shpejta se ato ndërkombëtare, mund të tregon sjellje jo konkurruese, si koordinimi i çmimeve ose abuzimi me pozitën dominuese.
Institucioni thekson se nuk do të tolerojë praktika që dëmtojnë konkurrencën e ndershme dhe synon të garantojë transparencën dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga çmime të padrejta.


