Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, paralajmëroi sot se më 12 mars do të zhvillohet protesta e radhës e opozitës, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen asaj që e konsideron si “kryengritja e radhës”. Njoftimi u bë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, një ditë para seancës plenare në Kuvend.
“Data 12 është kryengritja e radhës. Ftoj qytetarët shqiptarë në të katërt anët e Shqipërisë të bashkohemi kundër kreut të kësaj organizate kriminale për t’i dhënë përgjigjen e merituar për vjedhjet e tij dhe për tradhtinë e lartë kombëtare që i bën idealeve”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati akuzoi kryeministrin Edi Rama se po shkel çdo ligj dhe normë për të mbrojtur interesat e tij personale. Ai shtoi se veprimet e kryeministrit po devijojnë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Berisha u ndal veçanërisht tek letra e përbashkët mes Ramës dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç duke e cilësuar atë si një largim nga rruga drejt BE-së.
“Tani propozon, nuk na duhet Europa, por Ballkani i Hapur. Dhe meqenëse Ballkani i Hapur ishte tregti e hapur me Serbinë pa asnjë lloj kriteri, tani na jepi edhe ju tregtinë ne. Kjo është formale, sepse Ballkani i Hapur nënkupton marrëdhënie të hapura me Serbinë, e cila ka traktate me ish-republikat sovjetike. Si rezultat, prodhimet shqiptare humbasin për shkak të importeve serbe nga këto republika. Ky është një akt tjetër i tradhtisë kombëtare, pas atij më të madh ndaj Kosovës. Procesi 33-vjeçar i integrimit në BE ka qenë i drejtë dhe fisnik, dhe veprimet e qeverisë po e prishin atë përpjekje”, tha Berisha.



