Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, reagoi ashpër ndaj paralajmërimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për bllokimin e tregtisë me Spanjën pas refuzimit të Madridit për të lejuar përdorimin e bazave amerikane në Rota dhe Morón në kuadër të ofensivës kundër Iranit.
Në një konferencë për shtyp të mërkurën, Sánchez bëri të qartë qëndrimin e qeverisë së tij për krizën në Lindjen e Mesme, duke përmbyllur gjithçka me dy fjalë: “Jo luftës”. Ai theksoi se Spanja nuk do të marrë pjesë në operacione që i konsideron të paligjshme dhe se solidarizohet me vendet që kanë pësuar sulme pa dallim nga Irani.
Sánchez i riktheu kujtesën historisë, duke përmendur luftën në Irak të nisur nga ish-presidenti George W. Bush, e mbështetur atëherë edhe nga kryeministri britanik Tony Blair dhe homologu spanjoll José María Aznar, që sipas tij solli pasiguri dhe destabilizim në Evropë.
Ai theksoi se Spanja qëndron në anën e ligjshmërisë ndërkombëtare dhe paqes dhe bëri thirrje që SHBA-ja, Izraeli dhe Irani t’i japin fund përshkallëzimit “para se të jetë tepër vonë”.
“Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë tani. Madje nuk është e qartë kush nisi sulmin e parë, por duhet të jemi të përgatitur, pasi kjo mund të jetë një luftë e gjatë”, përfundoi Sánchez.




