Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi një takim me ambasadorin italian në Tiranë, Marco Alberti, ku u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, me fokus në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe lehtësimin e lëvizjes së mallrave dhe pasagjerëve.

Beja vlerësoi partneritetin e ngushtë me autoritetet italiane dhe mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për institucionet shqiptare. “Italia mbetet një nga partnerët tanë më të rëndësishëm strategjikë. Bashkëpunimi mes administratave tona doganore ka njohur zhvillime të rëndësishme vitet e fundit dhe synojmë ta thellojmë më tej, sidomos në drejtim të modernizimit të proceseve dhe forcimit të kontrolleve kundër trafiqeve të paligjshme,” deklaroi Beja.

Nga ana e tij, ambasadori Alberti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën doganore dhe të sigurisë kufitare, duke nënvizuar se Italia mbështet përpjekjet e Shqipërisë për forcimin e institucioneve dhe avancimin në rrugën drejt integrimit europian.

Gjatë bisedës u trajtuan gjithashtu projekte të reja të përbashkëta mes administratave doganore, duke përfshirë bashkëpunimin me Guardia di Finanza, si dhe rinovimin e Planit të Veprimit për të thelluar më tej bashkëpunimin operacional dhe institucional mes dy vendeve të Adriatikut.

Exit mobile version