Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anušić, ka deklaruar se bashkëpunimi ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk përbën kërcënim për askënd dhe ka për qëllim vetëm stabilitetin e rajonit.
“Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe kandidate për BE, Kosova synon anëtarësimin në BE dhe NATO, Kroacia është anëtare e BE-së dhe NATO-s, dhe për këtë arsye interesat tona janë të përbashkëta. Ne kemi interes stabilitetin e këtij rajoni të Evropës, e jo destabilizimin”, tha Anušić për agjencinë e lajmeve “Beta”.
Ai nënvizoi se Kroacia dëshiron t’i mbështesë Shqipërinë dhe Kosovën në rrugën e tyre drejt integrimit evropian dhe të NATO-s, duke shtuar se po njëjtën gatishmëri e ka edhe ndaj Serbisë, nëse vendi zgjedh rrugën evropiane dhe atlantike.
“Kroacia nuk ka qenë kurrë kërcënim për askënd, veçanërisht jo për Shqipërinë dhe Kosovën, dhe nuk ka planifikuar të jetë. Anëtarësimi ynë në NATO dhe BE na obligon, dhe nuk mundemi e as duam të veprojmë ndryshe”, theksoi ministri kroat gjatë pjesëmarrjes së tij në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.



