Procesi për zgjedhjen e presidentit në Kosovë po paralajmëron një tjetër episod tensioni politik. Kuvendi pritej të hynte këtë të mërkurë në votim, por mungesa e kandidaturave të mjaftueshme rrezikon të kthejë procesin në një cikël të ri krizash institucionale.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri të qartë se procedura nuk mund të fillojë me vetëm një kandidat, sipas kërkesave kushtetuese dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese. Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar vetëm Glauk Konjufcën, duke lënë të hapur mundësinë që procesi të ngecë.
Sipas Kushtetutës, presidenti zgjidhet nga Kuvendi në tre raunde: dy raundet e para kërkojnë dy të tretat e votave të deputetëve, ndërsa raundi i tretë mjafton shumica e thjeshtë. Vendimi i vitit 2011 i Gjykatës Kushtetuese për rastin e Behgjet Pacollit ka theksuar domosdoshmërinë e të paktën dy kandidaturave për të mos dështuar procesi.
Për të respektuar këtë praktikë, në vitin 2021 Vetëvendosje paraqiti dy kandidatura, edhe pse zgjedhja e Vjosa Osmanit ishte e sigurt. Sot, shumica në pushtet po ecën me një emër të vetëm, duke rrezikuar dështimin e votimit dhe shpërndarjen e mundshme të parlamentit, një skenar që mund të çojë vendin në zgjedhje të reja.
Afati i fundit për mbledhjen e Kuvendit është e enjtja, 5 marsi. Me 66 deputetë në shumicë, Vetëvendosje ka mundësinë të paraqesë një kandidat të dytë dhe të sigurojë zgjedhjen e Konjufcës në raundin e tretë. Nëse kjo nuk ndodh, vendi rrezikon një tjetër spirale krize, me ndërhyrje të Gjykatës Kushtetuese dhe pasiguri institucionale.
Deri tani, qeveria Kurti duket se po përsërit modelin e saj të krizave politike, duke kthyer procesin e zgjedhjes së presidentit në një tjetër episod të “seri krizash parlamentare”.


