Deputetja Jorida Tabaku, në një reagim në rrjetet sociale, tha se prej 12 vitesh liria e medias në Shqipëri ka vijuar rënien.
Ajo u shpreh se dhuna verbale karshi gazetarëve, mungesa e transparencës dhe kërcënimi nga pushtetarë që mendojnë se janë të paprekshëm, gërryejnë themelet e demokracisë.
“Të drejtat e gazetarëve, si dhe paga dhe trajtimi i tyre janë çështje me të cilat duhet të ishim marrë prej vitesh”, shkroi Tabaku.
Postimi i plotë:
Prej 12 vitesh liria e medias në Shqipëri ka vijuar rënien, duke shënuar jo rrallë kthim në një kohë që duket e largët në distancë, por jo mentalitet.
Dhuna verbale karshi gazetarëve, mungesa e transparencës, vetëçensurimi i tyre dhe ndër të tjera kërcënimi nga pushtetarë që mendojnë se janë të paprekshëm gërryejnë themelet e një demokracie që është e dobët, por që duhet të forcohet.
Kemi parë në këtë dekadë qeverisje socialiste një sulm të vazhdueshëm asimetrik ndaj medias, shpifje dhe fushata që kanë pasur synim sulmin ndaj gazetarëve që kanë kërkuar të vërtetën dhe kanë investiguar për të zbuluar rastet korruptive.
Kemi dëgjuar nga gojët e disa politikanëve dhe pushtetarëve të rinj në moshë, por të vjetër në sjellje e mendësi, se si kanë drejtuar fjalët e tyre ndaj gazetarëve duke i etiketuar “vrasës me pagesë” vetëm përse kanë kryer detyrën e tyre si gazetarë.
Media ka qënë e vazhdon të jetë një fushë e kriter në procesin e integrimit, pronësia e medias, ndikimi i pushtetit në kronikat editoriale, censurimi dhe vetëcensurimi. Por, më tepër të drejtat e gazetarëve, si dhe paga dhe trajtimi i tyre janë çështje me të cilat ne duhet të ishim marrë prej vitesh. Ndërkohë vit pas viti ne shohim se si Shqipëria degradon në renditjen për median e lirë e se si politika e pushteti ushtron presion.
Ka shumë lakmues të demokracisë; po një nga shtyllat kryesore është media e lirë. Koha të marrim një tjetër drejtim!
Discussion about this post