Shqipëria vazhdon të ketë rritjen më të lartë të numrit të pasgjerëve që udhëtojnë në rrugë ajrore, që prej vitit 2019, viti kur pandemia goditi ndjeshëm këtë industri.
“Airport Council International”, zhvillon një studim përmes të cilit mat rritjen e aeroporteve të vendeve të ndryshme, krahasuar me vitin 2019. Shqipëria kryeson këtë listë prej disa kohësh, ku muaji Mars 2024 kap shifrën rekord me një diferencë prej 233.3% krahasuar me muajin mars 2019. “Airport Council International” është një organizatë botërore për autoritetin e aeroporteve, që ka për qëllim unifikimin e praktikave dhe standardeve për të gjithë aeroportet e botës. Kjo organizatë është themeluar më 1991, me zyra qendrore në Montreal, Kanada dhe anëtarët e saj operojnë në pothuajse 2000 aeroporte.
Vetëm gjatë 4 muajve të parë të vitit 2024, në TIA kanë udhëtuar mbi 2.7 milion pasagjerë, duke çuar në 65% rritje nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Me këto shifra, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës tejkalon edhe atë të Sofies duke u bërë një nga aeroportet më të sukseshëm në Ballkan.
Tendenca për rritje si dhe shtimi i destinacioneve të reja përgjatë sezonit turistik, kanë rritur optimizmin e drejtuesve të aeroportit, të cilët parashikojnë një shifër që pritet të tejkalojë 9.3 milion pasagjerë, deri në fund të vitit 2024.
Tashmë ka nisur faza e tretë e zgjerimit, përmes të cilit do të trefishohen sipërfaqet e terminalit. Gjithashtu, po punohet për zgjatjen e pistës dhe janë duke u shtuar edhe vend-qendrime të reja për avionët, për të përmbushur kërkesat e linjave trans-oqeanike. Në muajin qershor të vitit 2023 përfundoi faza e dytë e zgjerimit dhe po punohet me rritme të shpejta për përfundimin e fazës së tretë ku ku do të shtohen rreth 50 000 m2.
Investimet e mëdha që Kastrati Group ka kryer në Aeroportin ‘Nënë Tereza’, kanë sjellë një numër më i madh linjash ajrore, kontrata të reja, të shtohen destinacione, të rriten mundësitë për udhëtime direkte në shumë qytete të botës si edhe të vijnë më shumë vizitorë prej këtyre vendeve. Në 3 vitet e fundit Kastrati Group ka arritur të realizojë rreth 85% të investimeve që ishin parashikuar të kryheshin deri në vitin 2040 dhe mbi të gjitha dhe shumë investime të reja për të përballuar fluksin e lartë të pasagjerëve në TIA.
Discussion about this post