Rithemelimi ka paralajmëruar sërish protestë para Bashkisë Tiranë këtë të martë. Lajmin e ka bërë të ditur shefi i organizimit në PD-në e Rithemelimit, Klevis Balliu nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook.
Në një video-reel të shpërndarë në këtë rrjet, Balliu i’u bën thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e së martës para Bashkisë Tiranë, për të larguar nga pushteti, kryebashkiakun Erion Veliaj. Sipas Balliut, Veliaj e ka shkatërruar qyetetin e Tiranës me ndërtime të shumta për të pastruar paratë e drogës dhe se tashmë ka ardhur koha që ai të marrë përgjigjen e merituar.
“Këto janë 1 milionë pemët e Veliajt, shikoni si tallet ky kryemashtrues. Shikoni si e ka shkatërruar qytetin e Tiranës duke pastruar paratë e drogës me pallatet e pafundme që ai ndërton. Është koha të largojmë këtë kryemashtrues dhe kryehajdutë.
Bashkë ditën e martë në orën 11:00 në protestë kundër korrupsionit, kundër vjedhjes, kundër Erion Veliajt”,– shkruan Klevis Balliu në videon e publikuar në rrjetin social Facebook.
Kujtojmë se Rithemelimi në bashkëpunim me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit kanë zhvilluar një sërë protestash para Bashkisë Tiranë, ku kërkojnë largimin e kryebashkiakut, Erion Veliaj pas skandalit të aferës korruptive me drejtorët 5D.
Discussion about this post