Është shtyrë sërish në GJKKO seanca paraprake për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqajn. Gazetarja Klodiana Lala ka bërë me dije se shkak është bërë mungesa e avokatit të Klodian Skënderit.
Kjo nuk është hera e parë që shtyhet seanca për Beqajn. Seancën e kaluar ish-ministri kërkoi shtyrjen e seancës për këtë të hënë, pasi sipas tij ende nuk i janë vënë në dispozicion të gjithë aktet e dosjes hetimore, për çështjen e “Sterilizimit”.
Ndërkohë, kujtojmë se ish-ministri i Shëndetësisë u pa mëngjesin e 31 majit duke dalë nga GJKKO me valixhe me aktet e dosjes së SPAK.
Beqaj, vazhdon përballjen me drejtësinë në Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme, pasi akuzohet për shpërdorimin e fondeve gjatë kohës që drejton te Agjencinë për Koordinimin e ndihmave Europiane.
Ai disa herë “u mbyll” në ambientet e SPAK për të lexuar dosjen voluminoze ndaj tij, pasi refuzoi që të paguajë shumë prej 120 mijë lekësh të reja që i është kërkuar nga SPAK, për marrjen në dorëzim të materialeve hetimore. Por më pas 602 fashikujt e dosjes hetimore iu dorëzuan në mënyrë elektronike.
Si një ndër zyrtarët më të lartë të mazhorancës socialiste, Ilir Beqaj është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit. Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur” para një hetuesi apo oficeri të Policisë Gjyqësore një herë në javë, çdo të premte në orën 15.30.
Gjithashtu, Ilir Beqajt i është komunikuar dhe masa e dytë “Ndalim i daljes jashtë vendit”.
Në Gusht të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme arrestoi ish-zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, nën akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim, lidhur me koncensionin e sterilizimit afro 100 milionë euro 8 vjet më parë.
Discussion about this post