Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Prishtinë, ku ka nisur edhe takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Rama është pritur nga Osmani në Presidencë, ndërsa janë fotografuar duke shtrënguar duart. Kreu i qeverisë ndodhet në Prishtinë për nder të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Më pas, kreu i qeverisë do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, dedikuar këtij përvjetori, që mbahet në nderim të trashëgimisë politike të Presidentit Rugova, si dhe të vendeve aleate, të cilat patën një rol thelbësor gjatë viteve të luftës në Kosovë.
Rama do t’i adresohet një prej paneleve të Konferencës, ku do të jetë së bashku me personalitete ndërkombëtare të mirënjohur për kontributin e tyre politik në periudhën e luftës, mes të cilëve ish Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair dhe ish Kryeministri Italian Massimo D’Alema.
Në vijim të agjendës, kryeministri do të mikpritet nga Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, ku në një ceremoni të posaçme do të nderohet me Çelësin e Qytetit.
Ndër të tjera, do të marrë pjesë edhe në çeljen e ekspozitës së veçantë “Reporting House”, një retrospektivë e fuqishme e mediave gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ku përmes artefakteve të gazetarëve dhe veprave të artistëve, vizitorët do të njihen me historinë e luftës së viteve 1998-1999 dhe ndikimin e saj në dekadat që pasuan.
Kujtojmë se 10 qershori i vitit 1999 shënon fundin e luftës në Kosovë dhe tërheqjen e trupave serbe, pas 78 ditë bombardimesh ajrore të NATO-s. Po me këtë datë Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas së cilës në Kosovë u dërguan trupat paqeruajtëse të KFOR-it nga 36 vende.
Discussion about this post