Pritjes i erdhi fundi dhe të gjithë ditën e sotme jemi “sy e veshë” nga Dortmundi. Kombëtarja shqiptare do të sfidojë Italinë në “Signal Iduna Park” në orën 21:00. Një duel mjaft i rëndësishëm për kuqezinjtë në rrugëtimin e tyre në Euro 2024.
Emocionet kanë “kapluar” tifozët, të cilët kanë “pushtuar” Dortmundin dhe mbështetja e tyre do të jetë mjaft e madhe në shkallët e stadiumit. Dortmundi “flet” shqip dhe tashmë mbizotërojnë kudo ngjyrat kuqezi.
Silvinjo dhe “djemtë” e tij kanë përgatitur gjithçka në detaje për këtë sfidë, teksa sigurisht përballë do të kenë një nga kombëtaret pretendente për të triumfuar në Euro 2024. Në fakt janë edhe kampionët në fuqi, pasi kanë fituar Kampionatin Europian të kaluar.
Statistikat fatkeqësisht nuk janë në anën tonë. Në 4 duele mes tyre, miqësore dhe dy sfida të tjera janë luajtur në kuadër të kualifikueseve të Botërorit, kuqezinjtë janë mposhtur nga “axurrët”.
Por pavarësisht gjithçkaje, te tifozët ka shumë entuziazëm se do t’ia dalim të marrim një rezultat pozitiv dhe futbollistët të bëjnë një lojë të mirë në fushë. Të gjithë sonte do të kryqëzojmë gishtat që të marrim pikët e para ndaj Italisë dhe të thyejmë “tersin”.
Kombëtarja shqiptare do të luajë sfidën e saj të parë në natën e dytë të Europianit, ndërsa pas katër ditësh, më datë 19 qershor 2024 do të luajnë ndeshjen e dytë kundër Kroacisë, në orën 15:00 në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”.
Ndeshjen e fundit në Grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor 2024, në stadiumin “Dusseldorf Arena” ora 21:00. Forma e lojtarëve është e mirë dhe pritshmëritë janë që kuqezinjtë të kalojnë edhe fazën e grupeve.
Kalendari i ndeshjeve të Shqipërisë në Euro 2024:
– 15.06.2024 Itali vs Shqipëri, “ BVB Stadion Dortmund”, ora: 21:00
– 19.06.2024 – Kroaci vs Shqipëri, “Volksparkstadion Hamburg”, ora: 15:00
– 24.06.2024- Shqipëri vs Spanjë, “Düsseldorf Arena”, ora: 21:00
Discussion about this post