Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, depozitoi ditën e djeshme, 20 qershor, kërkesë padinë ku i drejtohej togave të zeza për të zgjidhur martesën me Monika Kryemadhin, me të cilën është kurorëzuar më datën 29.10.1998 në Bashkinë e Tiranës.
Shkaku i cili ka shtyrë Metën drejt këtij vendimi kanë qenë përplasjet politike mes tij dhe Kryemadhit. Burime për gazetaren Anila Hoxha, bëjnë me dije se presidenti i Partisë së Lirisë, i ka treguar gjykatës se shkaktare është politika dhe këndvështrimet e ndryshme qe ata kanë për politikën.
Ndër të tjera mësohet se Meta i ka thënë gjykatës se përgjatë viteve të fundit ka konstatuar mos-dakordësi dhe kontradikta që kanë ardhur duke u shtuar për shkak të qëndrimeve dhe pikëpamjeve të ndryshme në lidhje me zhvillimet ne aspektin politiko përfaqësues dhe vendimmarrës.
Me kalimin e kohës kjo ndarje këndvështrimesh sipas Ilir Metës i cili në padi ka vendosur adresën e Partisë së Lirisë u bënë prezente edhe në raportin bashkëshortor deri sa kohet e fundit këto mospërputhje qëndrimesh e mendimesh edhe ndaj njëri-tjetrit kane sjelle si pasojë “grindje të herëpashershme duke tronditur thellë marrëdhënien tonë bashkëshortore”.
Newsbomb.al mbrëmjen e djeshme pasqyroi deklaratën “bombë” të ish-presidenti Ilir Meta, për ndarjen nga Monika Kryemadhi. Ai tha se për shkak të qëndrimeve të saj në mbështetje të SPAK, të kundërta me ato të tij, ajo nuk është më gruaja e tij, por ish-gruaja.
Çifti kanë tre fëmijë, djalin e vetëm Besar dhe dy vajzat Bora dhe Era. Sipas ish-presidentit, ka qenë djali ai që e ka këshilluar të ndahej me Monikën, pas tensioneve dhe problemeve të shumta.
“Ju keni shumë të drejtë. Ajo që unë mund t’ju them se pas kësaj deklarate, zonja Kryemadhi është ish-bashkëshortja ime. Dhe sot, për arsye dhe të ditëve të pushimeve që kanë qenë, kam ndjekur edhe rrugën juridike për këtë çështje dhe kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta.
I cili, me thënë të drejtën e ka pasur një ide të tillë pak kohë më parë, ma ka hedhur këtë ide, që ju kur keni kaq shumë tensione me njëri-tjetrin, kaq shumë probleme, edhe mund të gjeni ndonjë zgjidhje më të qetë. Unë besoj se e kam gjetur një zgjidhje”, u shpreh Ilir Meta.
Lidhur me këtë vendim të Metës reagoi shkurtimisht edhe Monika Kryemadhi. E kontaktuar nga Zëri i Amerikës, Kryemadhi tha se fillimisht dëshironte që të mësonte arsyet që e kishin çuar Metën në kërkesën për divorc dhe më pas do të jepte një koment.
Discussion about this post