Analisti i njohur, Kreshnik Spahiu ka deklaruar se nëse kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës i arrestuar për krim zgjedhor do të mandatohet si eurodeputet do të thotë se Bashkimi Europian vepron me dy standarte.
I pranishëm në emisionin “Top Story” të Grida Dumës, Spahiu thotë se ishte BE-ja ajo që kërkoi me këmbëngulje futjen e ligjit të dekriminalizimit në Shqipëri, e nëse ajo nuk e zbaton atë atëherë përse duhet të qëndrojë në Kushtetutë.
Sipas tij, qeveria shqiptare dhe parlamenti duhet të diskutojnë me BE-në në lidhje me standartin që ato do të ndjekin në lidhje më këtë çështje, pasi nëse Blloku do të hap praktikën për të mandatuar një të dënuar, atëherë ligji i kërkuar duhet të shfuqizohet në mënyrë të menjëhershme.
“Qeveria shqiptare dhe parlamenti duhet të kontaktojnë me Bashkimin Evropian për të bërë të qartë standardin që do të ketë Parlamenti Evropian. A do të pranojnë si eurodeputet një person të dënuar për krim zgjedhor?
Nëse BE hap praktikën që mandaton një të dënuar, atëherë Shqipëria duhet të kërkojë falje dhe të heqë ligjin e dekriminalizimit. Se çfarë kuptimi ka që Shqipëria ndjek një ligj të kërkuar nga BE dhe BE për vete nuk e respekton.
Nëse Beleri do të mandatohet, ne s’kemi asnjë të drejtë morale t’u themi personave të dënuar në Shqipëri që nuk zgjidhesh se ke bërë burg”-është shprehur analisti, Kreshnik Spahiu.
Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi ditën e sotme vendimin e GJKKO-së për dënimin me dy vite burg për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Ky vendim nuk është pranuar nga Beleri, të cilin e ka cilësuar si politik, ndërsa Greqia ka kërkuar që autoritetet shqiptare të marrin masa për të siguruar paraqitjen e tij në seancën plenare të Parlamentit Europian si deputet i zgjedhur.
Discussion about this post