Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka ndarë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë. Shkrimtari i madh mbylli sytë mëngjesin e kësaj të hëne, në moshën 88 vjeçare në Tiranë.
Begaj thotë se Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, mjeshtrin e penës Ismail Kadare.
“Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës”,shkruan Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Ismail Kadare lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 50 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Discussion about this post