Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka qenë sot i pranishëm në forumin Rajonal “Ballkani dhe sfidat gjeopolitike të së sotmes dhe së ardhmes”.
Në këtë takim, kanë qenë prezente edhe disa figura të njohura të rajonit, si të ftuar kryesorë për të folur mbi ecurinë gjeopolitike të rajonit, si: Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ish-kryeministri i Turqisë prof. Ahmet Davutoglu dhe ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, si dhe emra të tjerë të rëndësishëm që kanë lënë gjurmë në veprimtaritë diplomatike dhe politike.
Gjatë fjalës së tij në këtë forum, teksa foli për tkurrjen e demokracisë në rajon dhe Evropë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, ai u ndal tek burgosja e padrejtë e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Belerit.
Sipas Metës, Beleri është tashmë një eurodeputet i zgjedhur, por që po vuan burgun politik në Shqipëri vetëm se denoncoi aferat korruptive që po bëhej me tokat nga pushteti me qëllim pastrimin e parave.
“Në Shqipëri sot vazhdon të vuajë burgun politik për herë të parë një eurodeputet i sapozgjedhur, z.Fredi Beleri.
Vetëm pse ishte kandidat i opozitës në zgjedhjet e fundit në Bashkinë e Himarës, ai u rrëmbye nga policia dy netë para zgjedhjeve dhe përsëri fitoi.
U bë një vit që i është pamundësuar betimi në respekt të zgjedhësve që është një procedurë shumë e rëndomtë burokratike.
Kjo ndodh sepse ai kishte denoncuar zaptimin e pronave të komunitetit nga klientë pranë Kryeministrit për të ndërtuar resorte me qëllim pastrimin e parave”,– u shpreh Presidenti i partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Për kreun e PL-së, në Shqipëri dhe në vendet e rajonit po vërehet gjithnjë e më shumë një tendencë për të shkuar drejt pushtetit autokratik, duke bërë që të largohen nga Bashkimi Europian dhe demokracia.
“Nuk është për t’u habitur se si mbyllja e syve ndaj kapjes së shtetit dhe të drejtësisë nga autokratët në këmbim të gjoja “stabilitetit”, prodhon efekte të kundërta.
Autokratët risollën në tryezën politike europiane përmes lobimeve të dyshimta propozimin për ndryshimin e kufijve, zhvendosën vëmendjen nga procesi i anëtarësimit në BE tek krijimi i “Ballkanit të Hapur”, ku influencat europiane dhe jo-europiane përzihen dhe përplasen me kosto të lartë për vetë rajonin, për Europën dhe për NATO-n”,– përfundon Ilir Meta.
Discussion about this post