Ruanda ka reaguar pas vendimit të kreyministrit të ri britanik, Keir Starmer për të mos zbatuar marrëveshjen e nënshkruar më parë midis vendeve për dëbimin e emigrantëve që hyjnë ilegalisht në Britani me barka të vogla, në një udhëtim të rrezikshëm përmes kanalit të La Manshit.
Zëvendës-zëdhënësi i qeverisë së Ruandës, Alain Mukuralida tha se marrëveshja e nënshkruar me qeverinë e Rishi Sunak nuk parashikon kthimin e fondeve të investimit të dhënë nga Londra nëse ato do të hiqnin dorë.
“Marrëveshja që nënshkruam nuk thoshte se ne do të duhej të kthenim para,”– shpjegoi zëvendës zëdhënësi i qeverisë Alain Mukuralida.
Të shtunën, dy ditë pas fitores dërrmuese të partisë së tij në zgjedhjet e përgjithshme, kryeministri i ri Keir Starmer njoftoi se do të anulonte planin e qeverisë Sunak për të dëbuar azilkërkuesit dhe emigrantët e parregullt në Ruandë.
Udhëheqësi laburist tha se plani i hartuar nga qeveria e mëparshme konservatore ishte e paligjshme.
Megjithatë, Londra tashmë i ka dhënë Kigalit 240 milionë funte sipas planit që kur u njoftua nga ish-kryeministri Boris Johnson në prill 2022.
Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar vendosi nëntorin e kaluar se projektligji nuk ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Por në prill Dhoma e Komunave e miratoi atë, pas një konfrontimi të pafund me Dhomën e Lordëve, e cila u shfaq e kujdesshme ndaj planit.
Discussion about this post