Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka treguar për situatën aktuale të zjarreve në vend. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook, Peleshi shkruan se përgjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat për momentin vetëm 2 janë aktive.
Këto dy vatra ndodhen në vendin e quajtur Agjioneri të Bashkisë Delvinë dhe një tjetër në Dropull.
Në vendin e ngjarjes ndodhen forcat zjarrfikëse të cilët po punojnë në mënyrë intensive për izolimin e plotë të zjarrit dhe për të shmangur rrezikun e përhapjes së flakëve në këto zona.
“Në 24 orët e fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat 21 janë shuar falë punës së pandërprerë të forcave të emergjencave civile.
Aktualisht, mbeten aktive vetëm dy vatra: një në vendin e quajtur Agjioneri, në bashkinë Delvinë, ku po punohet intensivisht për izolimin e plotë të zjarrit, dhe një tjetër në bashkinë Dropull, ku situata është më e qetë, por puna vijon për të shmangur çdo rrezik përhapjeje”,– shkruan Peleshi.
Kujtojmë se zjarret në zonën e Dropullit vijojnë prej tre ditësh, ndërsa u mobilizuan për shuarjen e flakëve shërbimet zjarrfikëse të disa qyteteve si, Gjirokastrës, Dropullit, Përmetit, Tepelenës dhe Libohovës.
Gjithashtu, në ndihmë të forcave zjarrfikëse shkuan edhe forcat e armatosura, të cilët ndërhynë edhe nga ajri nëpërmjet helikopterëve, pasi terreni i thepisur po ngadalësonte punën e forcave për vënien nën kontroll të flakëve dhe shuarjen e tyre.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se në ndihmë për shuarjen e zjarreve në këto zona kanë shkuar edhe avionë Canadair nga forcat e Greqisë.
Përhapja masive e vatrës së zjarrit në këto zona shkaktuar dëme të mëdha në bimësi, pyje dhe kullota, ndërsa ditën e djeshme u raportua se ishin lënduar edhe dy punonjës të forcave zjarrfikëse gjatë operacionit për të shuar flakët.
Ato u dërguan në spital për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore, ndërsa mësohe se gjendja e tyre shëndetësore aktualisht është stabile.
Discussion about this post