Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër në një video të postuar në rrjetet sociale lidhur me premtimet dhe veprimet e fundit të qeverisë në raport me pensionistët. Tabaku theksoi se qeveria ka shpërfillur plotësisht nevojat e kësaj kategorie, duke bërë vetëm premtime boshe dhe pa asnjë ndihmë konkrete nga buxheti i shtetit.“Kam tre javë që flas me pensionistët dhe kam krijuar kontakte të drejtpërdrejta me ta. Më vjen mirë që ndonjëherë edhe më dëgjojnë”, shprehet Tabaku, duke nënvizuar se qeveria e kujton çështjen e pensionistëve vetëm pasi ajo vetë ka ngritur zërin për këtë kategori të margjinalizuar.
Ajo vuri në dukje se rritja e pensioneve është qesharake, vetëm 20 lekë në ditë, ndërsa përfitimet e tjera buxhetore shkojnë në duart e një grupi të vogël monopolistësh dhe përmes koncesioneve.
“Si është e mundur që për pensionistët nuk gjenden 20 lekë, ndërkohë që qeveria pretendon dyfishimin e produktit të brendshëm bruto (PBB), por gjysma e kësaj PBB-je shkon për koncesionet?” pyeti Tabaku. “Të flasësh si opozitë, kur ke 12 vite në pushtet dhe të ankohesh për veten tënde, është e papranueshme, ” shtoi ajo.
Tabaku gjithashtu e kritikoi qeverinë për rritjen e informalitetit dhe përqendrimin e ekonomisë në pak duar, duke theksuar se këto janë pasoja të drejtpërdrejta të politikave të dështuara të saj.
Në përmbyllje të mesazhit, deputetja demokratike nënvizoi se qeveria vazhdon të prodhojë vetëm justifikime për pensionistët, ndërsa miliona lekë shkojnë për të dyshuarit e përhershëm përmes PPP-ve.
Reagimi
Kam tre javë që flas me pensionistët, kam takuar dhe kam krijuar kontakte me ta, dhe më në fund edhe qeveria u kujtua të flasë për ta. Më vjen mirë që ndonjëherë edhe më dëgjojnë. Dy elemente për të theksuar:
Së pari, rritja e pensioneve është vetëm 20 lekë në ditë. Çfarë dëgjuam sot në mëngjes? Dukej sikur fliste lideri i opozitës, sikur nuk ka 12 vjet në pushtet. Nxori justifikime pa fund, por asnjë lek nga buxheti i shtetit. Tha se është rritur informaliteti në një mënyrë të pashoqe dhe ekonomia informale është zgjeruar. Por kush është fajtor që shqiptarët punojnë në të zezë? Kush i rriti taksat? Kush e komplikoi sistemin?
Ai tha gjithashtu që tregjet janë rritur, monopolet janë forcuar dhe është e pamundur të operosh për shkak të rritjes së çmimeve. Por kush e ka fajin sot që ka monopole dhe që ekonomia është përqendruar në pak duar? Nuk është e mundur të paguash pensionistët sepse ky është buxheti i shtetit, tha ai. A nuk kanë muaj që thonë se e kanë dyfishuar produktin e brendshëm bruto? Si nuk u gjendën 20 lekë për pensionistët, kur 50% e PBB-së sot shkon për koncesione?
Të flasësh si opozitë kur qeveris prej 12 vjetësh dhe të ankohesh për veten tënde? Nuk di qeveri në botë ta bëjë këtë!
Discussion about this post