Sali Berisha ka votuar në selinë e Partisë Demokratike në votimet që po kryhen për kryetarin e ri. Ai shoqërohej në qendrën e votimit nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha.
Berisha u shpreh se zgjedhjet në PD janë një proces historik jo vetëm për selinë blu, por edhe për Shqipërinë. Ai tha se zgjedhjet kryhen paralelisht me procesin e zgjedhjes së Presidentit, të cilin e konsideroi proces mafioz dhe antikushtetues.
“Së pari, përshëndes demokratët dhe demokratet, komisionerët, e 108 qendrave të votimit në mbarë Shqipërinë dhe i uroj të marrin pjesë të gjithë në këtë proces historik jo vetëm për PD, por edhe për Shqipërinë dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë. Të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre për kandidatin që duan. Theksova se ky është proces historik jo vetëm për PD, por për mbarë Shqipërinë sepse është një proces që finalizon triumfin e vullnetit të anëtarëve të kësaj partie me votën e tyre, por sepse është një proces që zhvillohet paralel nga një proces i mirëfilltë mafioz, antikushtetues, ai i zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Është mafioz dhe antikushtetues sepse bazohet mbi grabitjen dhe dhunimin masiv të vullnetit të lirë të shqiptarëve dhe kolaboracionizmin e shpifur të Edi Ramës me pseudo-opozitën. Sot në këtë proces shohim dritën e shpresës për të ardhmen”, tha Berisha.
Ai shtoi më tej se, “Nuk ka vendim që mund të ndalë këtë mision historik të demokratëve shqiptarë”.
Sali Berisha dhe Ibsen Elezi garojnë mes tyre për marrjen e drejtimit të partisë.
Demokratët me anë të procesit “një anëtar, një votë” kanë mundësi të votojnë deri në orën 18:00 në 108 qendrat e votimit në të gjithë vendin.
PD zgjedh sot kryetarin e ri
Prej orës 8:00 të së dielës, anëtarët e partisë demokratike i janë drejtuar qendrave të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri.
Përmes parimit “një anëtar, një votë” ata kanë mundësinë të hedhin votën e tyre në 108 qendrat e hapura në të gjitha degët e PD.
Në garë për të marrë drejtimin e partisë blu janë 2 kandidatura, ish-kryeministri Sali Berisha dhe Ibsen Elezi. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Berisha ju drejtua qendrës së votimit rreth orës 11:00. Ai e cilësoi procesin historik jo vetëm për Partinë Demokratike, por për Shqipërinë.
“Theksova se ky është proces historik, sepse është një proces që finalizon triumfin e vullnetit të anëtarëve të kësaj partie me votën e tyre”, u shpreh ai.
Votën e hodhi edhe Ibsen Elezi, i cili kërkoi që të mos bëhen shkelje gjatë këtij procesi.
“Drita e së ardhmes nuk është as doktori, as unë. Drita e së ardhmes është demokracia në këtë vend. Drita e së ardhmes është ndëshkimi i çdo kujt dhe thyerja e atij kodit të pandëshkueshmërisë”, tha ai.
Votimi është njoftuar se do të përfundojë në orën 18:00, megjithatë nëse do të ketë anëtarë të PD që ende nuk kanë votuar, Qendrat e Votimit nuk do të mbyllen derisa të ketë votuar edhe personi i fundit.
tv6+1vlora
Discussion about this post