Deri në fund të Qershorit, sektori i peshkimit do të ketë mundësinë të përfitojë nga grantet e dhëna në kuadër të projektit IPA2016 për këtë kategori. Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca në një takim me përfaqësues të këtij sektori.
“Skema ka ofruar në fazën e parë dhe të dytë grante në masën e rreth 700 mijë Euro dhe me këtë fazë të tretë do të ndihmojë investimet e peshkatarëve edhe me 720 mijë Euro të tjera”.
Me anë të granteve specifike, projekti do të ndihmojë sektorin e peshkimit për të realizuar edhe investime në infrastrukturë sipas Krifcës.
“Ne kërkojmë që me anë të kësaj mbështetje financiare të mundësojmë rritjen e sigurisë së peshkatarëve në bordin e anijeve të peshkimit gjatë lundrimit, përmirësimin e performancës ekonomike të ndërmarrjeve të peshkimit duke miratuar masa që synojnë kursimin e energjisë, si dhe zvogëlimin i ndikimeve negative në mjedis lidhur me ndotjen e ujit dhe mbrojtjen e stokut”, u shpreh Krifca.
Edhe BE thekson rëndësinë ekonomike dhe mjedisore të peshkimit në Shqipëri, ndërkohë masa e mbështetjes për çdo subjekt është minimalisht 2,500 euro dhe maksimalisht 60 mijë Euro.
Discussion about this post