Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka deklaruar se mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është vetëm ceshtje ditesh. Në një konferencë për mediat, së bashku me Presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen, Varhelyi u shpreh se nuk duhet të presim më për çështje të brendshme politike të Bullgarisë.
“Sigurisht që ne shpresojmë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të kenë konferencën e tyre të parë ndërqeveritare në momentin që flasim dhe që ne nuk do të na duhet të presim më për arsye të brendshme politike në Bullgari. Dhe mbetem me shumë shpresë që ne po flasim për çështje ditësh, se sa çështje muajsh apo vitesh”, tha Komisioneri.
Ndër të tjera, Oliver Varhelyi ka bërë të qartë edhe qëndrimin ndaj ngërçit aktual midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për çështje historike, të identitetit dhe të gjuhës, që mban peng aprovimin e kuadrit negociues për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në Këshillit e Ministrave të Bashkimit Europian.
“Nuk jam në dijeni të asnjë kuadri negociues. Ne kemi dijeni vetëm për një ngërç total (bllokim total) në Sofje. Nuk jam i kënaqur me këtë, pasi unë kam shpenzuar çdo të martë të dytë të muajve për të shkuar në Bullgari të mësoja nëse kishte një rrugë zhbllokimi. Duket se politikat e brendshme janë të afta për të testuar besueshmërinë e Bashkimit Europian.Pra, aktualisht nuk besoj se mund të flasim për asnjë kuadër negociues”, u shpreh Varhelyi.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Ukraina ka status të veçantë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, veçanërisht si pasojë e pushtimit rus që nga 24 shkurti i këtij viti.
“Ukraina gëzon një status të ndryshëm nga Shqipëria apo Maqedonia e Veriut, të paktën që nga pushtimi rus. Tani ajo zë një pozicion të veçantë në Evropë”, ka theksuar ajo.
Shumë vende të Ballkanit e ndjekin me dyshim dhe kanë frikë nga trajtimi preferencial për Ukrainën, në të njëjtën kohë. Javën e ardhshme, 27 vendet anëtare do të votojnë (unanimisht) në një samit të BE-së.
“Një kandidaturë bazohet në merita”, tha ajo, shkruajnë mediat holandeze.
Discussion about this post