Një zjarr i fuqishëm i ndikuar edhe nga erërat e forta ka shpërthyer në një zonë malore pranë shtëpive që ndodhen në periferi të kryeqytetit grek të martën, duke bërë që autoritetet të kërkojnë evakuimin e të paktën dy zonave.
Sipas “Reuters”, re shumë të dendura tymi u ngritën në qiell mbi zonën e Pentelit, kur shpërtheu zjarri rreth 27 km larg nga qendra e Athinës. Rreth 78 zjarrfikës të ndihmuar nga 22 motorë dhe 16 avionë u përpoqën të shuanin zjarrin që po përhapej në dy fronte.
Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e zonave Drafi dhe Anthousa. Ata po ashtu kanë këshilluar banorët në zonat e afërta që të jenë të përgatitur që të evakuojnë shtëpitë e tyre, nëse do u urdhërohet ta bëjnë këtë. Është ndërprerë qarkullimi në rrugët që të çojnë në Penteli.
Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar edhe evakuimin e spitalit. Sipas medias greke “Protothema” janë larguar 36 fëmijë të sëmurë të cilët po trajtoheshin në spitalin e fëmijëve dhe 19 mjekë, infermierë dhe personel i administratës.
“Është një zjarr i vështirë dhe ne do të bëjmë çmos për ta frenuar atë,” ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Zjarrfikësve, Yiannis Artopios për TV shtetëror ERT, duke shtuar se 28 zjarrfikës nga Rumania po ndihmonin gjithashtu përpjekjet e zjarrfikësve grekë. “Ne po e luftojmë atë, po përpiqemi të rrethojmë zjarrin”, ka shtuar ai.
https://www.youtube.com/watch?v=4-Y_bAefbXY
https://www.youtube.com/watch?v=4tj4nyYN2D0&t=1s
tv6+1vlora
Discussion about this post