Një autobus që transportonte persona të infektuar me Covid drejt një qendre për trajtimin e tyre në Kinë u aksidentua, duke i marrë jetën 27 personave. Sipas asaj që shkruan BBC, mjeti u përmbys në një autostradë, në provincën jugperëndimore të Guizhou. Të paktën 20 persona të tjerë mbetën të plagosur.
Vetëm 2 persona raportohen të vdekur nga Covid në provincën e Guizhou, qëkur nisi pandemia, gati 3 vjet më parë. Aksidenti shkaktoi zemëratë online nga ata kritikojnë politikat e Pekinit për “zero Covid”, që parashikon testime masive dhe gjurmim të virusit. Ata që rezultojnë pozitivë dhe kontaktet e tyre duhet të izolohen në shtëpi ose në qendrat e karantinimit.
Vetëm në rastet kur numri i të infektuarve është i lartë mund të çojë në mbylljen e gjithë qytetit.
Sa i përket aksidentit të rëndë që ndodhi paraditen e së dielës, shkaqet mbeten të paqarta.
Vajza e një prej viktimave, në një postim në rrjetet sociale tha se nuk mund ta pranonte vdekjen e saj.
“Nëna ime qëndroi në shtëpi për gjysmë muaji. Nuk shkoi në asnjë vend përveçse për të bërë testet PCR… por papritur u mor në karantinë dhe vdiq”.
Shumë përshkruan kushtet e rënda në të cilat sipas tyre të infektuarit transportohen me autobusë drejt qendrave të karantinimit.
Një prej tyre tha se pasagjerët ngjeshen me njëri-tjetrin në autobusë për 12 orë me radhë, nuk u lejohet të hanë, të shkojnë në tualet, të hapin dritaret apo kondicionerin derisa të mbërrijnë në qendër.
Teksa pjesa tjetër e botës po përpiqet të jetojë me Covid, Kina është ekonomia e vetme e madhe që po i jep ende prioritet luftës kundër virusit, thuajse mbi gjithçka tjetër.
Guizhou aktualisht po përballet me rritje të numrit të rasteve. Provinca regjistroi 712 raste të reja të dielën, gati 70 përqind të totalit për Kinën.
tv6+1vlora
Discussion about this post