Rritja e vazhdueshme e qirave dhe kostove të jetesës po e kthen strehimin në një nga sfidat më të mëdha sociale në Greqi. Sipas ekspertëve të politikave sociale, rreth gjysma e familjeve në vend shpenzojnë mbi 50% të të ardhurave mujore për qira dhe shpenzime banese. Për shtresat me të ardhura të ulëta, kjo përqindje në disa raste i afrohet 100%.
Kërkesa për apartamente është shumë më e lartë se oferta. Agjentët imobiliarë raportojnë se për një banesë paraqiten qindra persona, duke krijuar një konkurrencë të fortë që shtyn çmimet gjithnjë e më lart dhe e bën gjetjen e një shtëpie të përballueshme pothuajse të pamundur.
“Qiramarrësit sot janë si njerëzit që prisnin në radhë për bukë në vitet ’40. Atëherë prisnin për ushqim; sot presin për një shtëpi,” shprehet agjenti imobiliar Themistokles Bakas.
Pasojat sociale janë të dukshme. Shumë të rinj detyrohen të qëndrojnë më gjatë në shtëpitë e prindërve, pasi qiratë e larta dhe kostot e energjisë e bëjnë të papërballueshme jetën e pavarur. Ngrohja në dimër dhe energjia elektrike po konsiderohen gjithnjë e më shumë si luks, ndërsa familjet reduktojnë shpenzimet për ushqim, argëtim apo shërbime të tjera për të mbuluar pagesat mujore të qirasë.
Rrënjët e krizës lidhen me periudhën e krizës financiare 2009–2018, kur sektori i ndërtimit pothuajse u paralizua. Sot, në qytetet e mëdha të Greqisë mungojnë rreth 180 mijë banesa për qira ose shitje.
Situata është përkeqësuar edhe nga programet e “vizave të arta” për investitorët e huaj dhe nga rritja masive e qirave afatshkurtra për turizëm. Në Athinë, mijëra prona janë zhvendosur drejt tregut turistik, duke ulur ndjeshëm ofertën për banorët vendas.
Ndërsa ekonomia greke po shfaq shenja rimëkëmbjeje, rritja e qirave ka tejkaluar ritmin e rritjes së pagave. Qeveria ka nisur programe subvencionesh për kategori me të ardhura të ulëta, por ekspertët vlerësojnë se, me ritmin aktual të ndërtimit, do të duhen të paktën pesë vite për të mbuluar mungesën e banesave.
Kriza e strehimit po shndërrohet kështu në një problem strukturor, me ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës dhe perspektivën e brezit të ri në Greqi.


