Rishi Sunak është zyrtarisht Kryeministri i 57-të i Mbretërisë së Bashkuar pas takimit që zhvilloi me Mbretin Charles III dhe u ftua që të formojë qeverinë.
Sunak është Kryeministri i tretë për Britaninë e Madhe gjatë një viti.
Takimi mes Mbretit Charles III dhe Kryeministrit të ri Rishi Sunak është një ceremoni simbolike që shënon dorëzimin e pushtetit. Charles III i kërkoi Kryeministrit Sunak që të formojë qeverinë.
42-vjeçari është Kryeministri më i ri në moshë në më shumë se 2 shekuj të historisë së Mbretërisë së Bashkuar. Ai është gjithashtu i pari Kryeministër që vjen nga minoritetet pasi origjina e tij është indiane.
Në fjalimin e tij të parë si kryeministër ai deklaroi:
“Për momentin vendi ynë po përballet me krizë të thellë ekonomike”, u shpreh ai duke shtuar se admiron qëllimin fisnik të Liz Truss, “që nuk u nxit nga vullneti i keq, krejt e kundërta, por u bënë gabime”.
E megjithatë, ai shprehu vendosmërinë për të rregulluar gabimet e bëra nga paraardhësja Liz Truss.
“Puna fillon menjëherë. Do ta bashkoj vendin tonë jo me fjalë, por me vepra. E vlerësoj plotësisht vështirësinë e situatës, por nuk i trembem presioneve të punës”, deklaroi Sunak duke premtuar se nevojat e vendit do t’i vendosë mbi politikën. /
Discussion about this post