Kryeministri Edi Rama vijon turin paraelektoral në Qarkun e Dibrës. Kreu i qeverisë ka zhvilluar një takim me operatorët turistikë, ku tha se këtë vit 26 mijë turistë kanë vizituar Dibrën dhe kjo falë Rrugës së Arbrit. Ai u shpreh se Rruga e Arbrit nuk është përfunduar ende për shkak të problematikës së rëndë gjeologjike në tunelin e Murrizit.
“Sot jemi në një vit që numërojmë 26 mijë turistë në Dibër. E paimagjinueshme deri pak vite më parë. Kush vinte në Dibër këtu nga ajo rruga e llahtarshme? Ja pra Rruga e Arbrit është realitet. Nuk është ende e përfunduar sepse tuneli i Murrizit ka shfaqur një problematike gjeologjike shumë të rëndë dhe për këtë arsye kompanie ecën me ritmin e breshkës, një metër në ditë sepse duhet kujdes shumë i madh, fortifikim shumë i posaçëm. Ndërkohë procedura për planin e bardhë dhe për Qafën e Buallit ka përfunduar, kështu që ato fillojnë së shpejti të realizohen. Me buxhetin e vitit të ardhshëm është planifikuar edhe lidhja me Maqellarën që raktikisht e sjell makinën me rrugën e Arbrit deri në qendër të Peshkopisë”, u shpreh Rama.
Rama foli edhe për një sërë projektesh, por tha se secila kërkon kohën e vet, pasi “dhe me fondet nuk jemi në ditët më të mira për shkak se po na ha shumë mbrojtja nga çmimi i energjisë elektrike”.
Kreu i qeverisë tha para operatorëve turistikë se ka një shpresë shumë të madhe për të marrë një lajm historik nga eksplorimi i naftës dhe gazit në zonën e Shpiragut nga Shell. Gjasat janë pozitive tha ai, por për aq kohë sa nuk ka një konfirmim, nuk mund ta llogarisim atë në dispozicion të ekonomisë së vendit.
Discussion about this post