Tërheqja nga marrëveshja mund të nxisë krizën ushqimore, Antony Blinken akuzon Putin për “armatosje të ushqimit”
Rusia është tërhequr nga marrëveshja historike për dërgimin e drithërave nga Ukrainë e cila u firmos në Stamboll duke provokuar zemërim ndërkombëtar dhe duke i dhënë një tjetër goditje përpjekjeve për të lehtësuar krizën globale ushqimore.
Kjo vjen pasi Rusia akuzoi Ukrainën për një sulm masiv me dron mbi flotën e Detit të Zi në Sevastopol, Krime. Ukraina nuk e ka pranuar sulmin dhe presidenti Volodymyr Zelensky e quajti lëvizjen ruse të parashikueshme. Zelensky tha se nevojitet një përgjigje e fortë ndërkombëtare si nga OKB-ja, ashtu edhe nga njëzet ekonomitë më të mëdha të botës.
Pezullimi i kësaj marrëveshje për eksportet e grurit do të shkurtojë dërgesat nga Ukraina, një nga eksportuesit më të mëdhenj të grurit në botë, nga portet e saj të rëndësishme të Detit të Zi. Presidenti i SHBA Joe Biden u shpreh se ky ndalim do të rriste urinë. Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken shprehu keqardhjen për këtë pezullim dhe u kërkoi “të gjitha palëve të mbajnë funksionale këtë iniciativë thelbësore, jetëshpëtuese.
“Çdo veprim i Rusisë për të ndërprerë këto eksporte është në thelb një deklaratë që njerëzit dhe familjet në mbarë botën duhet të paguajnë më shumë për ushqim ose të mbeten të uritur. Duke pezulluar këtë marrëveshje, Rusia po armatizon sërish ushqimin në luftën që filloi, duke ndikuar drejtpërdrejt në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe në çmimet globale të ushqimit duke përkeqësuar krizat tashmë të rënda humanitare dhe pasigurinë ushqimore.”
Tërheqja e Rusisë nga marrëveshja e grurit shënon një zhvillim të ri në një luftë që kohët e fundit është dominuar nga kundërofensiva ukrainase dhe sulmet me dronë ku pala ruse ka shkatërruar më shumë se 30% të kapacitetit energjitik të Ukrainës dhe kanë goditur zonat e populluara.
Më shumë se 9 milionë ton misër, grurë, produkte luledielli, elbi dhe soje janë eksportuar sipas marrëveshjes, të nënshkruar më 22 Korrik. Ukraina ka denoncuar Rusinë se ka bllokuar pothuajse 200 anije që të merrnin ngarkesat e grurit. Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba u bëri thirrje të gjitha shteteve që të kërkojnë nga Rusia të ndalojë lojërat dhe të ripërkushtohet detyrimeve të saj. Deri në 100 robër lufte thuhet se janë shkëmbyer mes Rusisë dhe Ukrainës së fundmi. Forcat e mbështetura nga Rusia thonë se kanë përfunduar një tërheqje të civilëve nga qyteti kryesor jugor i Ukrainës, Kherson. Qyteti kishte një popullsi prej rreth 288,000 njerëz para luftës dhe ishte një nga të parët që ra në duart e trupave të Moskës pas pushtimit të Shkurtit.
Discussion about this post