Ndotja akustike është një problem mjedisor që shkakton probleme në shëndet dhe mirëqenien e miliona njerëzve. Sipas ekspertëve të BE, më shumë se 20% e evropianëve janë të ekspozuar ndaj zhurmave në periudha afatgjata dhe të dëmshme për shëndetin e tyre.
Nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Bashkive Vlorë dhe Himare me sektorin privat (6 bzinese), komunitetin dhe OJFtë (6 organizata), në kuadër të projektit “Monitorimi i ndotjes akustike në zonat bregdetare Bashkia Vlorë dhe Himarë” mbështetur nga Lëviz Albania, zbatuar nga Milieukontakt Shqipëri në bashkëpunim me Institutin për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit dhe Gjelbërimi 2000, në prill 2022 ishtë një moment mjaft i rëndësishëm drejt synimit për monitorimin dhe zvogëlimin e zhurmave në qytetin e Vlorës dhe Himarës. Aktorët përkatës njohin zhurmat si një problem mjedisor që duhet adresuar dhe kanë nisur të angazhohen së bashku për të adresuar detyrimet ligjore. Bazuar në ligjin Nr.9774, datë 12.7.2007 “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis” bashkitë kanë detyrim të hartojnë dhe zbatojnë planin vendor të veprimit për zhurmën si dhe hartat përkatëse të zhurmave për bashkinë e tyre. Ato shpallin zonat e qeta si dhe vendosin kufizime për zhurmën, në përputhje me planin vendor të veprimit.
Deri më sot asnjë nga të dy bashkitë nuk kanë patur një hartë të zhurmave por as edhe një plan vendor për të.
Memorandumi synon krijimin e sinergjisë ndërmjet aktorëve të përfshirë për monitorimin e vazhdueshëm të zhurmave në zonat bregdetare, si dhe angazhimin e aktoreve lokal për marrjen e masave konkrete për respektimin e vlerës kufi të zhurmës. Në këtë kuadër është realizuar edhe ngritja e një grupi pune me përfaqësues nga komuniteti, organizatat lokale, nëpunës të bashkive, përgjegjëse për monitorimin e zhumave. Detyra e tyre ishte monitorimi i vazhdueshëm i zhurmave në disa pika të përzgjedhura si të zhurmshme nga anketimi i qytetarëve dhe fasha orare të cilësuara si specifike (9:00-11:00, 16:00-19:00, 22:00-24:00) gjatë ditëve të javës dhe fundjavës.
Duke qenë se ky memorandum është firmosur edhe nga përfaqësues të biznesit edhe këta të fundit kanë për detyrë të jenë bashkëpunes dhe të nërmarrin aksione për uljen e nivelit të zhurmave.
Memorandumi i firmosur ngarkon pushtetin vendor për financimin e projekteve lokale dhe nxitjen e organizatave dhe komuniteteve në monitorimin alternativ të zhurmave, kryesisht përgjatë sezonit turistik. Palët duhet që të zhvillojnë takime të përbashkëta periodike, një herë në tri muaj, për të diskutuar informacionet e grumbulluara mbi nivelin e zhurmave. Ky memorandum duhet që të realizojë qëllimin e tij deri në dhjetor të këtij viti dhe rishikimi i tij bëhet me marrëveshje ndërmjet palëve.
Discussion about this post