Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj mori sot, gjatë takimit me Përfaqësuesen e SHBA-së në OKB, Ambasadoren Linda Thomas-Greenfield, një mesazh falenderimi dhe mirënjohjeje nga Presidenti Biden për Shqipërinë dhe popullin shqiptar për bashkëpunimin e fuqishëm në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, stabilitetin rajonal dhe sigurinë globale.
“Si aleatë të NATO-s, kemi punuar së bashku për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë në të gjithë botën” – shprehet Presidenti Biden në mesazhin e tij.
Përballë agresionit rus kundër Ukrainës, kemi qëndruar krah për krah në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kemi bashkëpunuar për rezoluta të lidhura me luftën e padrejtë dhe të paprovokuar të Rusisë si dhe për adresimin e sfidave të tjera globale.
Presidenti Biden vlerëson ndihmën bujare të Shqipërisë për strehimin e refugjatëve ukrainas dhe afganë, si kontribut për një botë më të sigurt.
“SHBA mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar në mënyrë domethënëse dhe të vazhdueshme Shqipërinë në forcimin e mbrojtjes kibernetike, përfshirë mbështetjen financiare dhe ngritjen e një grupi pune për sigurinë kibernetike”, theksohet në mesazh.
Me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, Presidenti Biden nënvizon se në vitet e ardhshme dëshirojmë që ta thellojmë edhe më tej partneritetin tonë strategjik, si dhe do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për një rol më të madh lidershipi, përmes promovimit të stabilitetit dhe sigurisë energjitike në Ballkanin Perëndimor.
Discussion about this post