Spitali i ri Infektiv në QSUT ka hapur ditën e sotme dyert. I pranishëm në ceremoninë e përurimit të spitalit ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka inspektuar nga afër ambientet. Sipas Ramës, ky investim i jep mundësi mjekëve dhe infermierëve që të punojnë me standarde më të larta. Ai u shpreh se ambicia e qeverisë është që brenda mandatit të shkojë në 100% rritja e pagave për bluzat e bardha.
“Ajo që do të shtoja në fjalët e ministres është që ambicia jonë është që brenda këtij mandati është ta çojmë në 100% rritjen e pagës në raport me pikënisjen. Me buxhetin e ri shkojmë në 70%, me ndihmën e Zotit që mos na sjelltë ndonjë tjetër katastrofë që të na detyrojë përsëri të spostojmë fonde të dedikuara për qëllime të caktuara, jam i bindur që do ta arrijmë ta çojmë në 100% rritjen e pagës për të gjithë ju”, u shpreh Rama.
Ai u shpreh se investimet do të vijojnë edhe në qytete të tjera, për të “përmbyllur mozaikun e infrastrukturës së shëndetësisë dhe për ta transformuar atë tërësisht”.
Sipas tij duhet të ecet me autonominë spitalore, e cila shtoi se do të sjellë rritje pagash për mjekët sipas performancës.
Sipas qeverisë, spitali i ri infektiv do të shërbejë si një qendër reference kombëtare ekselence për sëmundjet infektive, me kushtet dhe standardet më të larta ndërkombëtare, për t’iu përgjigjur me përkushtim e profesionalizëm të lartë çdo emergjence të shëndetit publik.
Discussion about this post