Në Shqipëri ekziston prej vitesh ligji Nr. 9774, datë 12.07.2007 “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, por nga institucionet shtetërore dhe vendore ka patur mungesa të theksuara në zbatim. OBSH e ka renditur zhurmën në vendin e dytë midis kërcënimeve mjedisore për shëndetin publik, pas ndotjes së ajrit. Agjencia Evropiane e Mjedisit, në studimin e saj të vitit 2018 konstatoi se cdo vit, ka të paktën, 43 mijë persona qe kërkojnë ndihmë mjekësore nga demtimi drejtpërdrejt i ndotjes akustike. Ndërsa 10 mijë të vdekur të parakohshëm lidhen me këtë problem. Numri i njerëzve që vuajnë nga shqetësimet për shkak të tejkalimit të normës së zhurmës, në Evropë arrin edhe deri në 20 milionë. Po ashtu, cdo vit ne Evropë shkaktohen mbi 900 mijë raste të hipertensionit për shkak të ndotjes akustike. Këto janë të dhëna shumë shqetësuese. Në vendin tonë duket se ka politika mjedisore në mbrojtjen nga ndotja akustike por që nga institucionet kompetente nuk janë zbatuar sic duhet. Në Progres-Raportin e BE-së të Nëntorit 2019, thuhet se aktet nënligjore ende mungojnë në këtë drejtim dhe se kapaciteti zbatues është i dobët. Shkeljet e kufijve të zhurmës janë të pranishme në qytetet e Shqipërisë. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, duke mos miratuar një sërë udhëzimesh, gjatë kësaj kohe ka dështuar të plotësojë kuadrin ligjor mbi zhurmat mjedisore me akte nënligjore edhe pse kanë kaluar më shumë se 12 vite që nga krijimi i ligjit kryesor të zhurmave. Nga ana tjetër edhe Bashkitë janë përgjegjëse për mirë-administrimin e çdo çështje që lidhet me zhvillimin e politikave, planeve për mbrojtjen e mjedisit urban. Bashkia referuar ligjit të zhurmave, ka detyrimin e përgatitjes dhe miratimit të: Planit Vendor të Veprimit për zhurmën; Procesit e hartëzimit të zhurmës. Shpalljes së zonave të qeta, në një mjedis të banuar apo në një mjedis të hapur. Vendosjen e kufizimeve të tjera për zhurmën, në përputhje me planin vendor të veprimit. Por në Bashkinë e Vlorës janë vënë re disa problematika në këtë drejtim që nga mungesa e planit vendor, te mungesa e të dhënave mbi numrin e popullsisë së ekspozuar ndaj ndotjes akustike në territorin e saj. “Bëni zhurmë” kundër zhurmave. Kjo është motoja jonë, ndërsa synohet që këto problematika të adresohen nga projekti “Monitorimi i ndotjes akustike në zonat bregdetare Bashkia Vlorë dhe Himarë” mbështetur nga Lëviz Albania, zbatuar nga Milieukontakt Shqipëri në bashkëpunim me Institutin për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit dhe “Gjelbërimi 2000”.
Discussion about this post