Seanca plenare e ditës së enjte kur pritet të shqyrtohet marrëveshja për Portin turistik të Durrësit, pritet ta kthejë sallën e kuvendit në fushëbetejën e radhës mes shumicës dhe opozitës.
Të paktën këtë nënkupton padurimi i Kryeministrit Rama për të dalë përpara ligjvënësve e për renditur ato që i quan faktet që ky investim i duhet ekonomisë e turizmit të Durrësit ndryshe nga çfarë paraqesin oponentët e këtij projekti.
“Po mezi po e pres seancën e parlamentit javën tjetër, ku të gjitha faktet do t’i ndajmë mirë e mirë me shqiptarët, se me të shiturit për rubla e me urrejtësit profesionistë të banaqeve mediatike, s’ka të bardhë që nuk kthehet në të zezë dhe s’ka diell që nuk mbulohet me shoshë”.
Rama në postimin e tij në Twitter i kujton opozitës se nuk mund të hedhë baltë mbi një investim e një investitor si Muhammed Alabbar “sikur të ishte një pazar i ngjashëm me Gërdecin”.
“Çfarë s’po na dëgjojnë veshët për një prej kompanive më prestigjoze të Lindjes së Mesme dhe një prej investitorëve më të vlerësuar në industrinë globale të turizmit. Në një harmoni fatale të injorancës me ligësinë, motivuar prej urrejtjes politike ka plasur e dalë rrugëve një llum i pashoq! Investimi më i madh i huaj në rajon,që do të transformojë Durrësin e Shqipërinë, trajtohet si aferë katundi për pula, Mirë vetes i thua duro si ke duruar se të dinë si veten e s’ke ç’u bën, po sekëlldi e madhe t’u shpjegosh të huajve se si mund të kulmojnë kaq lart injoranca me ligësinë dhe si mund të akuzohen investitorë të kalibrit të Muhammed Alabbarit për pazarllëqe të nivelit të Gërdecit”.
Qeveria shqiptare pretendon se kontrata me kompaninë e Alabbarit është dokument i negociuar për 1 vit dhe në bazë të saj shteti shqiptar do të jetë ortak me 33% në një investim të huaj. Rama në postimin e tij shpjegon se nuk u ndoq politika e paraardhësve që sipas tij me investitorët e huaj negocionin për të marrë perqindje për vete dhe jo për shtetin.
Discussion about this post