Kryetari i PD Sali Berisha është nisur drejt zonave të përmbytura në Shkodër. Ndalesën e parë e ka pasur në fshatin Kuç, ku ka zhvilluar takim me banorë dhe një deklaratë për media. Në lidhje me situatën e përmbytjeve, kryedemokrati Berisha ka thënë se “përmbytjet erdhën sepse kryeministri Rama nuk ndal vjedhjen me energjinë”.
Sali Berisha: E kam ndjekur me shumë shqetësim dhe vëmendje zhvillimet dramatike. Erdha këtu për të shprehur solidaritetin për ju dhe të gjithë banorët dhe për kryetarin e Bashkisë për punën që po bëni. Kjo është dëshmi e plotë e papërgjegjshmërisë së këtyre qytetarëve, që mbrëmë kanë hapur tunelet e Komanit, kanë derdhur nga porta e Vaut të Dejës, 2 mijë metër kub në sekondë, përveçse sa kanë derdhur nga turbinat, të gjitha këto se nuk dilnin dot nga skema e vjedhjeve të tyre. Këto reshje kanë qenë tërësisht dhe plotësisht të parashikuara, qoftë nga Instituti i Gjeoshkencave, që ua ka dorëzuar në zyra këtyre qeveritarëve, që vjedhja ua ka verbuar sytë dhe mendjen, por për hir të së vërtetës, një njoftim jashtëzakonisht serioz ka bërë stacioni meteorologjik italian, që në mënyrë specifike ka parashikuar reshje ekstreme dhe përmbytjet në alpet e veriut. Por të gjitha këto nuk kanë mjaftuar për Edi Ramën dhe Belinda Ballukun se ata e kanë mendjen të shfrytëzojnë energjinë për të vjedhur. Tani del e thotë që e bëra për të shtuar rezervat, ndërkohë që të gjithë të dhënat tregonin se do të kishte reshje ekstreme, por i kishte sytë te paratë që do vidhnin, që i kishin prokurorua për të blerë 10 milionë euro energji elektrike, nga të cilat së paku 5 milionë i fusin në xhep.Tani që ka plasur skandali, përpiqen që të mashtrojnë dhe të justifikojnë. E vërteta është se nuk donin të ndalonin vjedhjen.
Kryetari i Partisë Demokratike, Berisha tha se “qeveria ka qëndrim armiqësor të hapur ndaj Shkodrës” teksa ka shtuar se “energjia është shëndërruar një nga mallrat e vjedhjeve më të mëdha”.
Sali Berisha: Mbrëmë jam njoftuar vonë shumë, se këta e hapën tunelin, se e kanë në program pune importin dhe nuk e ndërpresin. Gjithçka diktohet nga vjedhja. Ne e kemi deklaruar shumë herë që energjia është shndërruar në një nga mallrat e vjedhjeve më të mëdha. Kjo ishte absolutisht e parashikueshme, e ndalueshme, nëse do prodhohej energji dhe do ulej niveli. Energjia nuk kishte nevojë të blihej. Sot po shesin energji, me një çmim katër herë më të ulët se e blejnë, se e kanë kontratat. Janë verbuar. Qeveria ka qëndrim armiqësor të hapur ndaj Shkodrës. Por këtë akt e kanë bërë se janë kapur në flagrancë në një vjedhje të paimagjinueshme.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha akuzoi KESH-in pasi sipas tij “kreu krim”, që “nuk njoftoi që po hapte turbinat”.
Sali Berisha: Nga mbrëmë deri para pak, kanë derdhur 2 mijë metra kub. 1400 a më shumë me turbina. Prandaj kanë bërë këtë përmbytje ata me këto shkarkime kriminale. Kriminale se ishte e parandaluar. Kur kanë kryer krimin, nuk kanë njoftuar kryetarin e Bashkisë, nuk ju kanë njoftuar juve. Ata duhej të njoftonin disa orë përpara. Ata kanë hapur portat dhe turbinat dhe kanë përmbytur brenda gjysmë ore në mënyrë të rrufeshme zonën. Në një kohë kur kryetari i Bashkisë që dje kërkoi që KESH të njoftonte për çdo lëvizje. KESH duhej të njoftonte, ata e kanë detyrim që të njoftonin. E kanë detyrim ligjor. Por ata donin të vidhnin me importin e energjinë. Donin të vidhnin 10 milionë euro në katër ditë.
Më pas Berisha do të ndalet edhe te Ura e Bahçallëkut dhe në fshatin Obot.
Discussion about this post