Brazili ka shpallur tre ditë zie kombëtare për vdekjen e legjendës së futbollit Pele. Ai do të mbahet mend si njeriu që e ktheu në art lojën e bukur me top, duke dalë përtej futbollit.
82-vjeçari – i vetmi që fitoi Kupën e Botës tre herë si lojtar – vdiq të enjten pas një beteje të gjatë me kancerin.
Ceremonia mortore do të nisë të hënën, në stadiumin e Santos, klubi i vendlindjes së Peles dhe vendi ku ai filloi të luante si adoleshent. Të martën, do të ketë një paradë me arkivolin e tij nëpër lagjen ku jeton nëna e tij 100-vjeçare, ndjekur më pas nga një varrim privat.
“Shpallet zie zyrtare në të gjithë vendin, për një periudhë 3-ditore, e llogaritur nga data e publikimit të këtij dekreti, në shenjë dhimbjeje për vdekjen e Edson Arantes do Nascimento, Pele”, thuhet në dekretin e nënshkruar nga presidenti në largim Jair Bolsonaro.
Ikona e futbollit do të prehet në një varrim privat më 3 janar në Memorial Necropole Ecumenica.
Discussion about this post