Vendimi i qeverisë shqiptare për konfiskimin e kullave me kate pa leje ka hyrë në fuqi më datë 5 janar dhe është botuar në Fletoren Zyrtare. Në vendimin e zbardhur, bie në sy se pas konstatimit të paligjshmërisë, subjektet ndërtuese do të njoftohen nga autoritetet përkatëse.
Drejtoria e Administrimit të Pronës Shtetërore do të njoftojë zhvilluesin ose çdo subjekt të autorizuar prej tij, për mundësinë dhe afatin kohor që ai ka në dispozicion.
Më pas, referuar vendimit ndërtuesit do të paraqiten vullnetarisht për të kaluar me akt noterial në favor të shtetit, me një kontratë premtim shitje/me vlerë 1 euro, të drejtën e pronës, të sipërfaqes së ndërtuar pa leje ose në tejkalim të lejes së ndërtimit.
Në rastet kur subjekti zhvillues kryen apo nuk kryen nënshkrimin e kontratës e premtim shitjes me vlerë 1 euro apo kontratën finale të shitjes, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (referuar më poshtë “IKMT”) njoftohet nga ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore.
Ajo që bie në sy, është se ministri përgjegjës për administrimin e pronës shtetërore, nxjerr urdhrin për vlerësimin e pronës dhe cakton ekspertin/ekspertët vlerësues të licencuar të pasurisë paluajtshme, të cilët do të hartojnë raportin e vlerësimit. Numri i ekspertëve do të përcaktohet nga volumi i ndërtimit të konfiskuar.
Shpenzimet për ekspertët përballohen nga ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore, nga të ardhurat e siguruara nga shitja e objektit. Kjo pagesë do të jetë 2 (dy) % e vlerës së objektit apo të grup-objekteve të vlerësuara, por jo më pak se 60.000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë dhe jo më shumë se 300.000 (treqind mijë) lekë pa TVSH. Ekspertët do të kenë 10 ditë kohë për të përgatitur raportin.
Discussion about this post