Sot më 17 janar shënohet 555 vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Gjergj Kastrioti lindi më 6 maj 1405 dhe ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Ai më pas u mor peng nga ushtria otomane pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë.Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte ushtrinë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet. Si një burrë i madh shteti, ai udhëhoqi luftën për pavarësi të kombit shqiptar kundër pushtuesit osman, si dhe punoi për bashkimin politiko-shtetëror të popullit shqiptar.
Me Kuvendin e Lezhës Gjergj Kastrioti Skënderbeu vuri themelet shtetit shqiptar. Për 25 vjet me radhë Skënderbeu mbrojti lirinë e popullit dhe të vendit të vet dhe lufta e tij pengoi përhapjen osmane drejt Evropës, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Evropiane dhe të Papatit të Romës që kur ka qenë gjallë dhe shumë më tepër pas vdekjes.
Emri i Skënderbeut ka qenë burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin e hapur, rrugën e përparimit. Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, populli shqiptar kurdoherë ka shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, të atdhedashurisë, të harmonisë e të demokracisë.
Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Ai vdiq në moshën 63-vjeçare më 17 Janar 1468 në Lezhë.
Vepra dhe figura e Skënderbeut kishte përmasa dhe rëndësi evropiane. Ai u vlerësua lart nga personalitetet e shquara evropiane të kohës. Këtë e dëshmon edhe fakti se për Skënderbeun është shkruar një literaturë e shumëllojshme, prej qindra vëllimesh, të botuara në shumë gjuhë dhe në të katër anët e botës. Ndër autorët shqiptarë janë Marin Barleti, Fan Noli, Sabri Godo, Fatos Daci.
Në përvjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka postuar një video të veçantë të realizuar nga shkolla të ndryshme në 12 qarqet e vendit.
Me këtë dite, kryeministri Edi Rama bën të ditur se duke nisur nga java e ardhshme, çdo të hënë në të gjitha shkollat e vendit, para nisjes së procesit mësimor do të këndohet Himni i Flamurit.
“MIRËMËNGJESI dhe me Himnin e Flamurit që këndohet nga të gjithë nxënësit e shkollave sot, në ditën e 555-Vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti SKËNDERBEUT, si edhe me vendimin që kështu do të këndohet himni në çdo shkollë, në krye të çdo jave të re mësimore, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Kushi.
Discussion about this post