Artan Lame, kreu i Kadastrës Shqiptare, ka njoftuar këtë të hënë një nismë të ndërmarrë muaj më parë nga institucioni që ai drejton, për inventarizimin e pronave të paluajtshme të institucioneve shtetërore, shkruan newsbomb.al.
Brenda Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, është krijuar një portal i brendshëm, veç atij për qytetarët, që mund të aksesohet vetëm nga institucionet shtetërore.
“Prej rreth 6 muajsh ne kemi punuar për një projekt të brendshëm të institucionit, për krijimin e regjistrit të pronës shtetërore. Ky regjistrim bën që askush tjetër, as gjykata, nuk mund të bëjë më veprime mbi këtë pronës sepse është e regjistruar”, u shpreh Lame, duke ilustruar me shembull konkret.
Më tej, kreu i Kadastrës Shqiptare tregoi se çdo vit ka 1-1.5 milionë kërkesa nga qytetarët për problematika që lidhen me pronat e tyre. Paralelisht me këtë proces, Kadastra ka nisur dhe inventarizimin e pronës shtetërore, për të mos lejuar më tej abuzimet.
“Çdo vit ne kemi rreth mbi 1 milion aplikime të qytetarëve për problematika të tyre. Kujtoj këtu se vitin e kaluar ishin 1.5 milionë aplikime. Tani po fokusohemi te regjistrimi i pronës shtetërore. Jemi koshient të gjithë se çfarë ka ndodhur këto vite, por s’dua të vë gisht në të kaluarën.
Rastet me abuzime janë të pafundme. Ky abuzim ka nisur pikërisht për shkak të mos-regjistrimit ndër vite të pronës shtetërore. Kryesisht është abuzuar me pronë shtetërore që kanë pasur shumë shtrirje në territor. Ministria e Mbrojtjes, që ka pasur me mijëra reparte, shumica të paregjistruara”, u shpreh ai.
Artan Lame tregoi dhe raste konkrete, kur nga mungesa e regjistrimit të pronës shtetërore, kanë dalë papritur pronarë. Nga 260 mijë prona shtetërore, tha ai, vetëm 20 mijë rezultojnë të regjistruara në Kadastër dhe për këto nuk mund të ndërhyhet me as me gjykatë.
Kreu i Kadastrës tregoi sesi për shkak të shpërndarjes së madhe të pronave që kanë në varësi disa institucione si Ministritë, për shkak të mos-regjistrimit, kanë dalë pronarët e oborreve të spitaleve apo të oborreve të shkollave. Një rast është ai i Burgut të Shënkollit në Lezhë, oborrit të të cilit i ka dalë pronari, kurse godina e burgut është e shtetit.
“E njëjta gjë ka ndodhur me Ministrinë e Shëndetësisë, me Ministrinë e Arsimit për shkak të rrjetit të shkollave. Jemi ndeshur me raste që oborrit të shkollës i ka dalë pronari, spitalit i ka dalë pronari, dhe shteti ka mbetur pasiv. Sjell dhe shembullin e Burgut të Shënkollit në Lezhë, që i ka dalë pronari oborrit, kurse vetë burgu është i shtetit.
Që nga viti 2020 kur nisi reforma, kemi arritur të identifikojmë 260 mijë prona shtetërore, në të gjithë territorin. Prej këtyre, 115 mijë u janë transferuar institucioneve shtetërore, dhe nga këto, vetëm 20 mijë rezultojnë të regjistruara në Kadastër. Ky i shpëton nga abuzimi i mëtejshëm”, tha ndër të tjera Artan Lame duke paralajmëruar publikimin e një VKM-je këtë të mërkurë.
“Të mërkurën do kalojë në qeveri një VKM shumë e rëndësishme, për përditësimin e pronave publike!”
Discussion about this post