Ekipi i dytë i shpëtimit ka mbërritur në Stamboll për të qenë në krah të Turqisë, ashtu sikurse në vitin 2019, ata ishin pranë nesh kur u përballëm me një fatkeqësi natyrore. Kryeministri Rama ka ndarë disa foto nga momenti kur forcat e kërkim-shpëtimit, kanë mbërritur në aeroport, për t’iu vënë në ndihmë një populli i cili sot, më shumë se kurrë ka nevojë për ndihmë.
“Sapo mbërriti në Stamboll edhe grupi i dytë i efektivëve të Forcave të Armatosura pjesë e skuadrës së kërkim – shpëtimit
*foto pak minuta përpara zbritjes në terren”- shkroi Rama.
Aktualisht, bilanci i viktimave, të plagosurve dhe atyre të humbur në rrënojat e prishura në Turqinë juglindore janë të frikshme dhe fatkeqësisht, dita ditës ky numër rritet.
Shqipëria ju përgjigj menjëherë thirrjes për ndihmë nga Ankaraja, ku dy ditë më parë nisi nga aeroporti i Rinasit, ekipin e saj të parë në ndihmë të Turqisë. Ekipi shqiptar prej 53 personash, përfshinte mjekë dhe specialistë të grupeve të kërkim-shpëtimit.
Kujtojmë që Turqia ka qenë një ndër vendet që ka përkrahur më shumë Shqipërinë kur u godit nga tërmeti i 26 nëntorit, 51 viktima. Turqia financoi ndërtimin e një lagjeje në Laç, ku me financimin e qeverisë turke u rindërtuan 522 banesa të reja.
46.3 mln euro përfshirë edhe apartamentet dhe disa xhami dha Turqia në konferencën e donatorëve në Bruksel “Bashkë për Shqipërinë” që Komisioni Evropian organizoi për ringritjen e vendit tonë dhe që mblodhi në total 1.15 miliardë euro grante, hua, e fonde për projekte zhvillimi nga rreth 100 vende.
Discussion about this post