Institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri prej janarit 2023 nuk do të kenë më dyqane fizike në ambientet e brendshme. Por të dënuarit dhe të paraburgosurit nuk do të privohen nga blerjet, pasi tashmë porositë mund t’i bëjnë online.
Projekti që iu mundëson blerje online personave të privuar nga liria ka nisur në mesin e vitit 2022 dhe është zbatuar plotësisht në janar të vitit 2023.
Në funksion të kësaj mënyre të re blerjeje, për çdo person të izoluar është hapur një numër llogarie në një bankë të nivelit të dytë. Në secilën prej tyre, familjarët përkatës të të burgosurve mund të depozitojnë para, që përdoren më pas për blerje nga të afërmit e tyre në qeli.
Qëllimi nuk është vetëm mbrojtja e të dënuarve nga çmimet abuzivisht të larta të ish-dyqaneve në burgje, por edhe rritja e sigurisë në këto institucione të vuajtjes së dënimit.
“Qëllimi kryesor është të shmanget abuzimi, arbitrariteti me çmimet, që nuk kishte standard, diku ishin shumë të larta. Së dyti, të ofrohet një shërbim më i mirë, më i kulturuar për qytetarët, të lehtësohen qytetarët. Së treti, kjo që ka të bëjë me rritjen e sigurisë”, thotë nëndrejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Femi Sufaj për televizionin A2.
Sipas marrëveshjes së Burgjeve me operatorin privat që do ofrojë këtë shërbim, çmimi i produkteve nuk mund të jetë më i lartë se tregu.
Për blerjet online të burgosurit do të përdorin një pajisje tabletë, që do të menaxhohet nga disa të tjerë të dënuar, të trajnuar dhe të punësuar për procesin. Njëkohësisht, ata janë pajisur me një kod unik dhe një fjalëkalim për t’u loguar.
“Eliminohet paraja në dorë, eliminohet informaliteti. Deklarohet në sistem gjithë xhiroja. Është shumë me e kontrolluar dhe shume më objektive”, thotë Sufaj. Në projekt është parashikuar edhe momenti i lirimit nga burgu, ku të dënuarit pajisen me një çek për të zbrazur balancën e pashpenzuar në llogarinë e tyre për blerjet nga qelia.
Discussion about this post