Mocionin me debat në Parlament për çështjen “McGonigal” të kërkuar nga opozita, Rama e konsideron absurd. Në fjalën e tij në Parlament, Kryeministri foli për hetimin në SHBA të kësaj çështje, duke sqaruar se ish-zyrtari i lartë i FBI është nën akuzë për bashkëpunim me oligarkun rus Deripaska dhe se nuk ka asnjë lidhje me të.
“Një ish-zyrtar i lartë i FBI-së akuzohet për një bashkëpunim me oligarkun rus Deripaska. Gjatë hetimeve prokurorët kanë konstatuar edhe një sërë shkeljesh që lidhen me udhëtimet e ish-shefit të kundërinteligjncës në rajonin tonë ku akt-akuza shënon se është takuar me mua. Akt-akuza shënon se ai nuk ka deklaruar udhëtimet apo takimet në rajonin dhe nënvizon se ka marrë parash borxh nga në shtetas shqiptaro-amerikan. Në rreshta përmendet dhe hetimi i parave ruse të PD. Procesi nuk ka asnjë të akuzuar tjetër përveç Charles McGonigal. Kaq janë faktet. Në të tërë rreshtat e akt-akuzës nuk ka asnjë akuzë dhe asnjë të dhënë tjetër përveç raportimit korrekt dhe të përsëritur të takimeve të mia me zyrtarin amerikan”.
Sa u përket akuzave nga Partia Demokratike, Edi Rama tha se janë të njëjtat veprime që opozita po bën prej 10 vitesh.
“Janë po ata që kur ishin në pushtet i kanë bërë të tëra të zezat për të cilat na akuzojnë natë e ditë qysh se ranë në opozitë. As unë s’kam ardhur sot dhe s’do vj më këtu për ta. Këtu kam ardhur dhe do vij sa herë të jetë nevoja për respekt të zgjedhësve dhe deputetëve të shumicës të cilët sot nuk mund t’i lija vetëm në këtë mocion absurd për debat. Ky është mbase mocioni më absurd në historinë e këtij Kuvend.
E kam menduar prej kohësh dhe e kam thënë, nuk do ta furnizoj më me energjinë time zjarrin e përditshëm të përplasjes dhe zhurmës pa kuptim. Nderin e përballjes me mua këtu apo jashtë këtyre mureve duke rrokanisur kokën e miletit, nuk keni për ta pasur më si deri dje. Mbushni mendjen vetes dhe i thoni sa të doni të tjerëve se jam fshehur dhe jam tretur. Në këtë vallen pa mbarim të shpatave tuaja janë kthyer në pjesë të pandarë të saj. Keni hyrë në vitin e 10 të rrugës kur më keni rrëzuar disa herë çdo vit, keni mbledhur 100 mijë deri në 200 mijë njerëz në bulevard duke më detyruar të fshihem në malin e Dajtit dhe më keni mundur në të gjitha zgjedhjet e 9 viteve të fundit dhe ky vit i 10 do jetë viti më i madh i fitores tuaj.
Në 14 maj do të merrni dhe Vlorën dhe Uashingtonin prandaj unë ju hap rrugë përfundimisht dhe dua të them me zë të lartë: Ndihem fajtor, madje shumë fajtor që s’kam bërë dot atë që duhet kundër mjerimit të thellë të politikës në arenën tonë ku gëlon gomarllëku. Kjo nuk është politika. Politika është diçka krejt tjetër, e lartë dhe e dobishne, me njërëzit dhe për njerëzit. Do jem shumë i angazhuar në kurimin e virusit të kësaj politike të rëndë, tek vetja në radhë të parë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Discussion about this post