Teksa Parlamenti po zhvillon seancën plenare për çështjen “McGonigal”, fjalën në foltore për të shtruar 13 pyetje për kryeministrin Rama e ka mbajtur kryemokrati Berisha.
Gjatë fjalës së tij, ai ka paralajmëruar Kryeministrin Rama duke i thënë se është nën hetim teksa ka shtuar se do të bëjnë gjithçka për t’i hequr atij imunitetin diplomatik.
Sali Berisha: Që në fillim më duhet të theksoj se skena e këtij parlamenti sot është më e veçanta në tërë historinë e tij. Aty ku është karrigia e kryeministrit, aty qëndron sot Charles McGonigal. Ai që duhej të ishte aty, është iluziv, sepse i ka hyrë lepuri në bark dhe ka një frikë të tmerrshme nga ajo që i ka bërë vetes së tij. Atë nuk e zë vendi vend, se ka kryer krime të shëmtuara, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai sot, mirë është të sillni një barrelë këtu, sepse i ka rënë fuqia te këmbët. Ai sot bëri mirë që nuk doli aty, se nuk ka si të paraqitet para shqiptarëve me krimin e shëmtuar transatlantik që ka kryer. Jam këtu për një seri pyetjesh, janë 13, por duhet të jenë 130, të cilave duhet t’u përgjigjet komisioni hetimor parlamentar. Pa marrë përgjigje këto pyetje, Shqipëria do ketë kaos dhe vetëm kaos. Përgjegjësia do bjeri mbi atë, që ka ulur sot në vendin e vet, tradhtarin e SHBA, vrasësin me pagesë të opozitës shqiptare, Charles McGonigal. Është e pashembullt në histori, që një vend partner të rekrutojë kryezbuluesin e një vendi që udhëheq botën e lirë, që udhëheq NATO-n dhe është udhëheqësi kryesor i paqes dhe sigurisë mbi tokë. Është e pashembullt që një kryeministër të vërë në dispozicion të tij, të gjithë shtetin, për të bërë luftën më monstruoze, më të turpshme kundër pluralizmit dhe opozitës. Ke kryer krim në SHBA. Prokurori i Përgjithshëm i SHBA tha se kush paguan punonjësit tanë për interesat e tyre, cenon sigurinë tonë kombëtare. Ndaj, hiq çdo iluzion, je nën hetim, ke kryer krim. Sa do të mbajë imuniteti diplomatik, por do bëjmë gjithçka që të ta heqim atë. Ti ke vazhduar me McGonigal sistemin e gjobave 20 përqind që ushtroje me pasion të çmendur.
Në fjalën e tij, kryetari i PD-së Berisha është shprehur se McGonigal shkoi aty ku e meriton si tradhtar i kombit të tij teksa është shprehur me bindje që sipas tij, i njëjti fat e pret edhe Kryeministrin Rama.
Sali Berisha: Këtu në parlament keni qarkulluar mashtrimin se janë 152 të blacklistuar. Çfarë bënit ju me këtë? Krijonit vetëm begraundin e gjobave që ekipi Rama-McGonigal vendoste nëpërmjet Nezës, Duçkës. Çfarë ishte ajo klimë që krijoi? Ndaj u them: stop manipulimit me marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Ta dijnë shqiptarët se këta, së bashku me Yuri Kim, bënë njoftimin për largimin e ambasadores amerikane, me qëllimin e vetëm që të zgjatej qëndrimi i saj në Shqipëri. Me SHBA na lidhin miqësi dhe vlera të jashtëzakonshme, por ata që manipulojnë me këto marrëdhënie, janë armiqtë më të mëdhenj të këtyre marrëdhënieve. Do vijë dita, të mësojë edhe shqiptari i fundit se çfarë malli jeni ju, se çfarë mafie e rrezikshme, se nuk keni interes tjetër përveç pasurimit tuaj. Në traditën atërore tuajën, kundërshtarët janë për t’u zhdukur. Dhe monizmi është regjimi më i mirë. Përdorët McGonigal për të certifikuar, për të mbyllur vjedhjet tuaj, për të sulmuar antikorrupsionin në Shqipëri, ata që ditë e natë denoncojnë krimin. McGonigal shkoi aty ku e meriton si tradhtar i kombit të tij. E sigurt që edhe ti do shkosh aty ku e meriton edhe si tradhtar i demokracisë. Ndaj kërkoj me çdo kusht krijimin e komisionit me të drejtën kushtetuese.
Discussion about this post