Kryeministri Edi Rama ka vazhduar përsëri këtë të premte me thumbimet ndaj sekretares së brendshme britanike Suella Braverman, duke theksuar se ajo e dinte që po gabonte kur i quajti shqiptarët kriminelë, por kurrë nuk kërkoi falje.
“A mendoni se Suella Braverman nuk e dinte se po thoshte diçka të gabuar. Politikanët thonë gjëra të gabuara dhe pendohen më pas, më ka ndodhur dhe mua. Ndonjëherë fjalët shpëtojnë, por më pas vjen e nesërmja, vjen java tjetër dhe gjen një mënyrë për të thënë ndjesë. Ajo kurrë nuk ka thënë ndjesë sepse asaj nuk i vjen keq.
Kështu që nuk mund të bësh asgjë për ndryshimin e perceptimit për shqiptarët në Britani. E vërteta e komunitetit shqiptar ka kontribuar shumë dhe duhet të jetojnë më gjatë se Braverman. Jini krenarë nga vini dhe nderoni flamurin britanik dhe atë shqiptar.
Më pas politikanët që përdorin vizibilitetin e tyre dhe pushtetin që ju është dhënë nga të tjerët për të mbledhur vota, do të ekzistojnë gjithmonë për aq sa do të ekzistojë demokracia”, u shpreh Rama në një bashkëbisedim në auditorin e Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Chatham House.
Po ashtu, kryeministri shqiptar foli dhe për të rinjtë që shkojnë në Angli. Sipas tij, ata nuk e çuan drogën në ishull, por shqiptarët e gjetën atë atje dhe u futën në një treg të madh, atë britanik.
“Nuk kam probleme se kufijtë e Britanisë mbyllen, por s’duhet ti lëmë të rinjtë shqiptarë të përdoren nga kriminelët. Komuniteti shqiptarë-britanik është fantastik. Të jesh nën trysninë e disa mollëve të kalbur që janë përballë. Kriminelët shqiptarë nuk e sollën krimin këtu, ato nuk e sollën drogën këtu, por e gjetën këtu tregun”, u shpreh Edi Rama nga Londra.
Discussion about this post