Manastirliu: Subvencion i pagës minimale për 3 vite
Një fond prej 240 milionë lekësh do të shkojë për ndërmarrjet sociale gjatë periudhës 2023-2025. Kjo mbështetje financiare që u miratua këtë të premte nga qeveria do të përdoret për punësimin e kategorive vulnerabile, përfshi edhe ato me aftësi ndryshe.
“Format e mbështetjes për ndërmarrjet sociale nëpërmjet subvencionit do të bëjnë të mundur që individë nga kategoritë e dizavantazhuara të mund të punësohen duke mundësuar që shteti të subvencionojë pagën minimale për ta për një periudhë prej 3 vitesh.”
Ministrja Ogerta Manastirliu thotë se kjo formë mbështetje vjen në kuadër të fuqizimit ekonomik të personave pjesë të ndihmës ekonomike.
“Një prej kritereve që duhet të përfitojnë ndërmarrjet sociale pasi të përfitojnë statusin e ndërmarrjes sociale është që deri në 50% e të punësuarve do të jenë individë që janë pjesë e skemave sociale dhe e programit të daljes nga programi i ndihmës ekonomike”.
Sipas Manastirliut në vitin 2022 më shumë se 3 600 persona që kanë qenë pjesë e ndihmës ekonomike janë punësuar apo futur në kurse të formimit profesional.
Discussion about this post