Socialistët vlonjatë u janë drejtuar këtë të shtunë kutive të votimit për të zgjedhur kandidatin e preferuar për të marrë drejtimin e qytetit bregdetar. I pranishëm në punimet e Asamblesë së Partisë Socialiste në Vlorë është dhe kryeministri Edi Rama.
Para nisjes së votimeve, mësohet se Rama ka shprehur kritikat e veta për mënyrën sesi është organizuar procesi në Vlorë. Ai ka qenë kundër fushatës që është bërë atje për dy kandidatët për bashkinë, Ermal Dredha dhe Fate Velaj.
Megjithatë, procesi ka nisur pas fjalës së tij dhe në duart e socialistëve të Vlorës janë shpërndarë fletët e votimit, ku renditen dy emrat e mësipërm. Në Teatrin “Petro Marko” ka një prezencë të lartë të socialistëve, ndoshta dhe për shkak të zhvillimit të këtij procesi pas shumë vitesh.
Për dy mandate radhë Vlora është drejtuar nga mjeku Dritan Leli, i cili ka vendosur të mos rikandidojë duke qenë se nuk ka prej kohësh mbështetjen e Ramës dhe të strukturave të partisë.
E ndërsa votimet kanë qenë duke u zhvilluar në sallën e teatrit të Vlorës, Rama është fotografuar në ambientet e jashtme duke konsumuar kafe me biznesmenin Sinan Idrizi, deputetin socialist Vullnet Sinaj dhe Andual Tahiraj, kryetar i PS.
Discussion about this post