Presidenti Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama kanë reaguar për të shtënat ndaj Top Channel që u regjistruan një natë më parë, e për pasojë mbeti i vrarë roja P.K 60 vjeç. Rama dhe Begaj u bëjnë thirrje organeve ligjzbatuese që të zbardhin ngjarjes.
Në një postim në ‘Twitter’, Rama e cilëson si një agresion kriminal që thotë se i mori jetën rojës së sigurisë, ndërsa i shpreh ngushëllimet edhe familjarit të të ndjerit.
“Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjensitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues”, shkruan Rama.
Ngushëllime për familjen Kola shpreh edhe kreu i shtetit, Bajram Begaj.
“Teksa i shpreh ngushëllimet e mia familjes së z. Kola, inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale”, shkruan Begaj.
Autoriteti Mediave Audiovizive ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Top Channel ku për pasojë humbi jetën roja Pal Kola. AMA i shpreh ngushëllime familjes së viktimës ndërsa u bën thirrje organeve ligj zbatuese që autorët të vihen para drejtësisë.
‘Ngjarja e mesnatës së kaluar, kur godina e televizionit Top Channel ishte objekt një sulmi me armë zjarri, me pasojë humbjen e jetës së një punonjësi të sigurisë, po përcillet me shumë shqetësim nga Autoriteti i Mediave Audiovizive. Goditja e një mjedisi mediatik është një goditje ndaj demokracisë, ndaj lirisë së fjalës dhe mendimit.
AMA shpreh ngushëllimet për familjen e punonjësit që humbi jetën nga ky agresion i papranueshëm dhe qëndron në krah të të gjithë ekipit të televizionit në këto momente të vështira.
AMA kërkon nga institucionet ligjzbatuese që të përparojnë me shpejtësi për ndriçimin sa më pare të rrethanave dhe autorët të vihen para përgjegjësisë ligjore.’- thuhet në njoftimin e AMA.
Discussion about this post