1 prill 2023 shënon 14-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së jashtme.
Paraqitja e parë e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s u bë në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Ndërsa një ditë më vonë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, gjatë së cilës atij iu akordua titulli Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës.
Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO
Gjatë regjimit komunist Shqipëria ishte pjesë e Traktatit të Varshavës, blloku ushtarak i vendeve komuniste të Evropës, ku ishte anëtarësuar që në vitin 1955, ndërsa u largua nga ky bllok në vitin 1968. Pas përmbysjes së regjimit komunist në vitin 1991, në vend u përcaktua orientimi euro-atlantik, dukë nisur edhe procesi i anëtarësimit në organizatat dhe nismat ndërkombëtare.
Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka kaluar në disa faza dhe zhvillime, që fillojnë në vitin 1992, me pranimin e vendit zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC), që ishte organizmi i parë që krijoi Aleanca për të ndërtuar marrëdhëniet me shtetet që dolën nga regjimet komuniste në Evropën.
Deri në ftesën për anëtarësim në vitin 2008, autoritetet shqiptare vazhduan përpjekjet rreth procesit të anëtarësimit duke u përfshirë në iniciativa të ndryshme dhe nënshkrimin e disa dokumenteve që do t’i hapnin rrugën procesit të anëtarësimit të plotë 13 vite më parë.
Një nga momentet e rëndësishme para anëtarësimit është maji i vitit 2003, kur Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut së bashku me SHBA-në nënshkruan “Kartën Adriatik 3 – SHBA”, që sipas autoriteteve shqiptare u konsiderua si një nismë që do të përgatiste anëtarësimin e vendeve në NATO.
Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në samitin e Bukureshtit më 2 prill të vitit 2008. Më 25 prill të po të njëjtit vit Shqipëria filloi zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në NATO, që përfshinin disa çështje politike, ushtarake, sigurie dhe ligjore, ndërsa më 9 korrik të këtij viti vendet anëtare të NATO-s nënshkruan në Bruksel protokollet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Kroacinë.
Pas përfundimit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill të vitit 2009.
Shqipëria mori pjesë për herë të parë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill të vitit 2009, ndërkohë që më 7 prill në selinë e Aleancës në Bruksel u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Discussion about this post