Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi kërkoi ndërprerjen e seancës së Kuvendit me pretendimin se mazhoranca nuk ka dërguar raportin për mandatin e Olta Xhaçkës.
Deklarata e Bardhit u përgenjështrua nga kryeparlamentarja, Lindita Nikolla e cila tha raporti ndodhet në sistemin e Kuvendit dhe deputetëve iu është vënë në dispozicion.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi deklaroi se mazhoranca do të votojë projektvendimin dhe do të jetë vota e deputetë që do të vendosë dërgimin e mandatit të Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.
Replikat në Kuvend
Gazment Bardhi: Ne nuk kemi ende raportin e shumicës në këshillin e rregullores dhe mandatit, ndryshe nga praktika, nuk morët një vendim. Nuk e dimë kush është raporti juaj dhe se ccfarë do të votojnë deputetët e mazhorancës dhe opozitës. Ndërprisni seancën dhe na vini në dispozicion raportin, nuk mund të fshiheni gjatë se do të votoni pas disa orësh. Na vini në dispozicion raportin e shumicës. Caktuat një afat të mërkurën dhe e keni tejkaluar. Detyrimin për të zbatuar vendimin e GJK e kemi të përbashkët. Nëse nuk e keni gati raportin, ndërprisni seancën.
Lindita Nikolla: Raportin e keni në sistem. Rregullorja thotë duhen dy javë, por afati është respektuar dhe është hedhur në sistem.
Bledi Çuçi: Ne e kemi zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që në momentin e parë kur kemi thënë që shfuqizon të dy vendimet që janë marrë nga Parlamenti në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Nuk është e vërtetë që nuk dolëm në konkluzion në mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Ne thamë që do ta çojmë çështjen në seancë plenare sepse kështu na detyron Kushtetuta për të marrë një vendim.
Discussion about this post