Partia Socialiste i ka dërguar Kuvendit raportin e saj për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, me konkluzionet e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve. Raporti pritet të votohet gjatës kësaj të enjtje në seancën e Kuvendit.
Në raport thuhet se anëtarët e shumicës parlamentare në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, vlerësojnë që çështja duhet t’i kalojë seancës plenare për të vendosur në lidhje me dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese sipas parashikimeve të nenit 70 të Kushtetutës.
“Gjykata Kushtetuese teksa ka shqyrtuar në themel kërkesën e 1/5 të deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhacka, ku kjo e fundit njësoj si kërkuesit, ka marrë pjesë në gjykim përfaqësuar nga avokat dhe janë ezaruar fazat e shyqrtimit gjyqësor, ka vendosur me vendimin n.2/2023 “Pushimin e gjykimit të cështjes. Në këto kushte, Kuvendi ndodhet në një situatë pamundësie për të vepruar ndryshe, pasi i duhet të zgjedhë se cilin qëndrim të Gjykatës Kushtetuese të respektojë mes standarteve të ndryshme të vitit 2016 dhe 2023. Gjithashtu, nga ana tjetër, grupimit prej 1/5 të deputetëve, sic është sqaruar më sipër i është mohuar e drejta për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese parashikuar në Kushtetutë dhe ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese, në dispozita që janë ende në fuqi”, thuhet në raportin e shumicës.
Raporti i mazhorancës për mandatin e Xhaçkës vijon më tej:
“Në këto kushte, mbetet në vlerësim të seancës plenare si organi vendimarrës i Kuvendit, për të vendosur në lidhje me dërgimin e cështjes së papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese, referuar nenit 70, pika 4 të Kushtetutës. Neni 70, pika 4 e Kushtetutës parashikon që Kuvendi vendos për kërkesën e një të dhjetës të deputetëve apo të Kryetarit të Kuvendit në lidhje me rastin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit. Gjykata Kushtetuese në vendimin n.1/2023 është shprehur se: “51. Edhe pse në përmbajtjen e pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës nuk është përdorur termi “është i detyruar”, kjo nuk nënkupton se vlerësimi në këtë rast është në kompetencë të Kuvendit, por se vënia në lëvizje e Gjykatës kërkon një vendimmarrje të këtij organi, e cila është produkt i seancës plenare, pas respektimit të procedurave parlamentare”. Ndërsa në paragrafin 55 të të njëjtit vendim, Gjykata arsyeton: “Gjykata rithekson se në zbatim të nenit 70, pika 4, të Kushtetutës një e dhjeta e deputetëve të Kuvendit ka të drejtë të paraqesë mocion për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit, ndërsa vendimmarrja e Kuvendit është e domosdoshme me qëllim vënien në lëvizje të kësaj Gjykate për t’u shprehur për themelin e çështjes, për sa kohë që pa një vendim të këtij organi Gjykata nuk mund të shqyrtojë kërkesa të tilla”.
Shumica në Këshill çmon të sqarojë për kolegët deputetë se këtu është e nevojshme të kuptohet një dallim. Në dritë të arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese parashtruar në paragrafin 41 të këtij raporti, krijohet ideja se kompetenca e Kuvendit parashikuar në nenin 70, pika 4 të Kushtetutës sipas Gjykatës Kushtetuese barazohet me parashikimet e nenit 77, pika 2 të Kushtetutës për ngritjen e komisioneve hetimore. Neni 77, pika 2 e Kushtetutës shprehimisht thotë: “…2. Kuvendi…., është i detyruar të caktojë komision hetimi….”, ndërsa neni 70, pika 4 e Kushtetutës ka këtë formulim: “….Kuvendi vendos për dërgimin e cështjes…”.
Në rastin e nenit 77, pika 2 të Kushtetutës, ushtrimi i kompetencës së hetimit, ka të bëjë me funksionin ligjvënës dhe atë të kontrollit të Kuvendit dhe që ushtrohet nga vetë pakica parlamentare, e cila përcakton objektin e hetimit. Përdorimi në Kushtetutë (Neni 77, pika 2) i shprehjes “është i detyruar”, jo vetëm që e vendos Kuvendin në një pozicion disi të veçantë, duke i hequr të drejtën për të vlerësuar vendimmarrjen për ngritjen e komisionit hetimor, por, njëkohësisht, institucionalizon një lloj tjetër autoriteti kushtetues, që njihet si pushtet i pakicës parlamentare, gjë të cilën nuk e gjejmë tek neni 70, pika 4. Sipas rregullit të përdorimit të qendrueshëm (Presumption of Consistent Usage), një fjalë ose frazë supozohet se ka të njëjtin kuptim në të gjithë tekstin ligjor, ndërsa një ndryshim material në terma do të thotë një ndryshim në kuptim. Bazuar në këtë rregull interpretimi, si edhe duke qenë se Kushtetuta në nenin 70, pika
4, përdor termin “vendos” për Kuvendin, ndërsa në nenin 77, pika 2, përdor termin “i detyruar”, atëherë rezulton qartësisht se këto dy terma, në dy dispozita të ndryshme kanë kuptime të ndryshme juridike.
Sa më sipër, duke marrë në konsideratë dhe arsyetimin në këtë raport të anëtarëve të shumicës në këtë Këshill mbi situatën që krijohet nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese n.1/2023 dhe n.2/2023 me lënien pa fuqi (por të pashfuqizuara) të dispozitave kushtetuese dhe ligjore që legjitimojnë 1/5 e deputetëve të Kuvendit t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit, situata paraqitet dhe më e ndërlikuar. Dallimi ndërmjet parashikimeve në nenin 77, pika 2 dhe nenin 70, pika 4 të Kushtetutës, ka rëndësi edhe për respektimin e një normë tjetër kushtetuese, konkretisht pika 1 e nenit 70 të Kushtetutës ku parashikohet se mandati i deputetit nuk është detyrues dhe që trajtohet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 44, datë 07.10.2011. Gjithashtu, bazuar në opinionin e Venecias, “qenia e lirë (jo detyruese) e mandatit të deputetit nënkupton të drejtën e deputetit të ndjekë bindjet e tij ose të saj.” Ky qëndrim është mbështetur edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në Aktgjykimin për rastin nr. K084/18.3 Si respektohet e drejta e votës së deputetit në kushtet kur neni 70, pika 1 e Kushtetutës parashikon se mandati i deputetit nuk është detyrues, sidomos kur në këtë rast kemi të bëjmë me një mocion, për të cilin edhe vetë Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj n.1/2023, shprehet se është instrument për të vënë në lëvizje Kuvendin për të diskutuar mbi një çështje dhe në përfundim është Kuvendi ai që vendos mbi të!
Në përmbledhje të arsyetimit më sipër:
– Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 1/2023 është shprehur për mocionin e kërkuesve (1/10 të deputetëve) se …. gjatë gjykimit kushtetues nuk u verifikua ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi (prg.56 i vendimit); – Gjykata Kushtetuese teksa ka shqyrtuar në themel kërkesën e 1/5 të deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhacka, ku kjo e fundit njësoj si kërkuesit, ka marrë pjesë në gjykim përfaqësuar nga avokat dhe janë ezaruar fazat e shyqrtimit gjyqësor, ka vendosur me vendimin n.2/2023 “Pushimin e gjykimit të cështjes”. – Gjykata Kushtetuese në vendimin nr.1/2023 vlerëson se në cdo rast kur paraqitet një mocion nga 1/10 apo Kryetari i Kuvendit, Kuvendi është i detyruar t’ia dërgojë cështjen Gjykatës Kushtetuese duke barazuar parashikimet e nenit 70, pika 4 ku thuhet “kuvendi vendos” me ato të nenit 77, pika 2 të Kushtetutës ku thuhet “Kuvendi është i detyruar të vendosë”. Ndërkohë neni 70, pika 1 e Kushtetutës parashikon se mandati i deputetit nuk është detyrues, c’ka nënkupton të drejtën e deputetit të ndjekë bindjet e tij ose të saj. – Gjykata Kushtetuese në arsyetimin e vendimit nr.1/2023 i referohet vendimit të saj nr.7/2016. Ndërkohë, pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016, Kushtetutbërësi në Kushtetutë riafirmoi si subjekt që vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit, grupimin 1/5 e deputetëve, ndërsa në Ligjin nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, shtoi nenin 66 me përmbajtjen:….2. Për shqyrtimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e funksioneve të deputetëve, Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të Kuvendit ose të një të pestës së deputetëve…. Po ashtu, Rregullorja e Kuvendit u ndryshua në vitin 2019 për të sqaruar detyrat e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, në vijim të evoluimit të jurisprudencës kushtetuese dhe referuar kuadrit ligjor miratuar pas vendimit n. 7/2016 të Gjykatës Kushtetuese. Këto cështje nuk gjejnë trajtim në vendimet n.1/2023 dhe nr.2/2023 të Gjykatës Kushtetuese. – Me vendimin nr.1/2023 dhe në vendimin nr.2/2023, është mohuar e drejta e 1/5 së deputetëve për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit e parashikuar në Kushtetutë e ligjin organik të Gjykatës Kushtetuesenë dispozita që mbeten pa fuqi zbatuese dhe pse ato, (dispozitat ligjore) qëndrojnë të pashfuqizuara. Për sa më sipër, anëtarët e shumicës parlamentare në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, vlerësojnë që çështja t’i kalojë seancës plenare për të vendosur në lidhje me dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese sipas parashikimeve të nenit 70 të Kushtetutës.
Më herët, kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi sqaroi qëndrimin e shumicës parlamentare.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, tha se mazhoranca e ka kaluar në seencë çështjen e vendimarrjes për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
“Ne e kemi zbaruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që në momentin e parë kur kemi thënë që shfuqizon të du vendimet që janë marrë nga Parlamenti në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Nuk është e vërtetë që nuk dolëm në konkluzion në mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Ne thamë që do ta çojmë çështjen në seancë plenare sepse kështu na detyron Kushtetuta për të marrë një vendim“, tha Çuçi.
Discussion about this post